Njësia Speciale e Shqipërisë kundër “të fortëve” gati për aksion në terren

1 javë më parë

Njësia Speciale e Shqipërisë kundër “të fortëve” gati për aksion në terren

Njësia Speciale kundër ‘të Fortëve’ është gati për të dalë në terren në aksion.

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Sandër Lleshaj deklaroi se njësia Speciale e Kërkimit të personave që i janë shmangur drejtësisë (ndryshe njësia speciale kundër “të Fortëve”), është një njësi e re elitë e Policisë së Shtetit, e cila po përmbush fazën stërvitore intensive te reparti RENEA, përpara daljes në terren.

Lleshaj vizitoi mjediset ku punon dhe stërvitet Njësia Speciale e Kërkimit të personave që i janë shmangur drejtësisë.

“Është shumë e rëndësishme që të përcjellim mesazhin: “Drejtësia mund të vonojë, por kurrë nuk harron”. Ju jeni dëshmia dhe prova, kapaciteti që ne i japim qytetarëve shqiptarë, garancia se drejtësia në Shqipëri nuk do të harrojë askënd që i është shmangur asaj. Kjo Njësi, e cila do të jetë një ndër njësitë elitë të Policisë Shqiptare, do të jetë pikërisht prova e këtij angazhimi serioz, për të kërkuar kudo që të jetë dhe për të vënë para drejtësisë këdo që ka llogari të hapura me të. Kjo është e para që dua t’iu them.

Kjo njësi do të jetë edhe një element i rëndësishëm bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtarë, për arsye se së shpejti, njësia do të jetë pjesë e rrjetit europian të njësive që merren me kërkimin e personave që i janë shmangur drejtësisë.

Por kjo nuk është njësia e vetme që do të krijohet në Policinë e Shtetit, pasi do të pasohet edhe nga të tjera në luftën kundër krimit ekonomik, por edhe kibernetik, etj.

Ministri i Brendshëm tha se shtimi i kapaciteteve operacionale dhe rritja e forcës goditëse të Policisë së Shtetit është garancia e suksesit të Reformës në Drejtësi.