Njeriu në fazën eksperimentale të pandemisë

2 muaj më parë

Njeriu në fazën eksperimentale të pandemisë

Kur izolimi ka thyer zinxhirin e mënyrës së bartjes së virusit, me lehtësimin e masave njerëzit janë bërë pjesëmarrës në një eksperiment vëzhgimi, kanë bërë të ditur një grup shkencëtarësh. Sipas tyre, lirimi i masave të izolimit në këtë fazë eksperimentale mund të shkaktojë një valë të dytë masive të infektimeve.

Mirëpo, dalja nga izolimi kërkon një qasje të matur dhe të sigurt. Distanca sociale dhe fizike si dhe puna nga shtëpia do të jenë veçori të jetës së njeriut, deri në kohën e gjetjes së një vaksine.

“Duhet të heqim masat që mund të konsiderohen si të sigurta dhe pastaj t’i monitorojmë me shumë kujdes”, ka thënë Mike Tildesley, mjek i përfshirë në studimin e Universitetit të Warwickut.

“Në këtë aspekt, teksa po kalojmë fazën e të mësuarit, ne jemi sikur derrat nga Guinea. Por, derisa të vazhdojë kjo fazë, duhet të përmirësojmë mënyrën e të kuptuarit tonë se sa të efektshme janë këto masa”, ka shtuar mjeku Tildesley.

Veçanërisht për shkollat, këto masa të kujdesit dhe mësimi i nxjerrë prej tyre do të jenë shumë të rëndësishme.

“Gjithçka duhet të jetë graduale. Por, natyrisht se prindërit dhe mësuesit janë shumë të shqetësuar”, ka sqaruar ai.

Hapja e dyqaneve, puna nga shtëpia

Në aspektin afatshkurtër, heqja e çfarëdo mase të distancës, me gjasë do ta nxiste pikun e infektimeve në çdo shtet që ka tentuar t’i shmanget kësaj. Studimi i prirë nga profesori Matt Keeling, ka zbuluar disa masa lehtësuese që mund të nisin të përdoren. E ato janë: Hapja e dyqaneve joesenciale dhe bizneseve, në të cilat mund të funksionojë distanca fizike, puna nga shtëpia për një të ardhme të pacaktuar dhe mbrojtja e të moshuarve, që veçse dihet se janë cak i disa sëmundjeve.

Sipas shkencëtarëve, nëse ka shenja të rritjes së numrit të infeksioneve, masat e izolimit duhet të rivendosen menjëherë.

“Me izolime e kemi bllokuar ndërveprimin, por edhe bartjen. Pasi kemi hequr masat, krijuam një lidhje të këtij rrjeti. Ky është mekanizmi me të cilin po përhapet virusi”, ka thënë Dnaiela De Angelis, profesoreshë në Universitetin e Cambridges. “Duhet të shikojmë për mënyrat e lidhjes mes njerëzve para se të rritet numri i të infektuarve”, ka thënë ajo.

Azra Ghani nga Imperial College në Londër ka thënë se maksimumi i kontaktit mes njerëzve do të duhej të ishte 20 deri në 30 për qind.

“Vaksina është mënyra e vetme për t’i shpëtuar virusit”, ka thënë Ghani. “Në të njëjtën kohë, njerëzit duhet të adaptohen në mënyrat e reja të të jetuarit”, ka shtuar ajo.

“Jeta e përditshme”

Nëse tërë kjo do të ishte eksperiment i vërtetë, Ghani ka thënë se shkencëtarët do ta kishin në kontroll të plotë.

“Do të rregullonin krejt gjërat, ama kjo është jeta e përditshme. Ka të bëjë me jetët e njerëzve dhe përfshin sjelljet e tyre”, ka thënë Ghani.

“Duhet të ekzistojë një baraspeshë midis rrezikut nga sëmundja dhe jeta e përditshme. Këtë mund ta arrijmë vetëm nëse njerëzit sillen me përgjegjësi të lartë sociale”, ka thënë ajo.