Një shtatore dhe muze për Pjetër Bogdanin

1 javë më parë

Një shtatore dhe muze për Pjetër Bogdanin

Shkruan: Sylë Ukshini

Në një nga kryeqytetet evropiane shtatorja më e lartë është ajo e një shkrimtari kombëtar. Ndërsa, Prishtinës edhe 20 vjet pas çlirimit i mungon një shtatore në kujtim të jetës dhe veprës së ipeshkvit të madh shqiptar imzot Pjetër Bogdanit (Gur i Hasit, 1625- Prishtinë, 1689), humanistit, teologut, filozofit dhe shkrimtar i fillimeve të letërsisë shqipe, si dhe personalitetit të jetës politike shqiptare në Kosovë të shekullit XVII dhe udhëheqësit të lëvizjes çlirimtare shqiptare të periudhës së pararilindjes.

Ai ishte i njohur jo vetëm me veprën e tij historike e filozofike “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum), botuar në Padovë më 1855, me të cilën vuri një gur themeltar në kulturën erudite shqiptare, punës si meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, ipeshkvit të Shkodrës, gjithashtu si administrator i Arqipshkvisë së Tivarit dhe të kryeipeshkvit të Shkupit, por edhe për rolin e tij si udhëheqës i kryengritjes shqiptare antiosmane në Kosovë në vitin 1689.

Ai u shqua për angazhimin dhe marrëdhëniet që kishte në njërën anë me Vatikanin (Romën) dhe Vjenën dhe, në anën tjetër me banorët vendas për organizimin e kryengritjes kundër pushtuesve osman. Prandaj,, edhe angazhimi i Pjetër Bogdanit rreth depërtimit të ushtrisë austriake në territorin e Kosovës, me ardhjen e tyre në viset e jugut, ishte më i madh se i çdo kleriku tjetër. Për këtë qëllim ai e kishte pritur personalisht komandantin e ushtrinë austriake të S.E. Pikolomininit.

Ky personaliteti i shquar i Kishës, kombit dhe kulturës shqiptare, ipeshkvi i jashtëzakonshëm imzot Pjetër Bogdani ndërroi jetë në Prishtinë nga epidemia e murtajës më 6 dhjetor 1689. Një tjetër element i rëndësishëm i veprimtarisë së Imzot Pjetër Bogdanit është se ai njoftoi rregullisht Selinë e Shenjtë të Romës dhe botën mbi gjendjen njerëzore, pra shoqërore, ekonomike, si dhe atë shpirtërore të shqiptarëve në atë kohë, përmes Relacioneve të detajuara, dërguar Papës e organeve Kishtare të Romës nga Shkupi e vendet tjera, si për shembull: “Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë 1687–1688” (“Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia”).

Kjo veprimtari letrare dhe politike dyzetvjeçare e Pjetër Bogdanit duhet të tërheq vëmendjen e studiuesve dhe të autoriteteve shtetërore që në shenjë nderimi për këtë figurë të ndritur në kryeqytetin tonë të ngrihet një shtatore e bukur dhe një muze, përmes të cilit do të bëhej më e plotë kujtesa jonë historike dhe do të transmetohej nga brezi në brez porosia e tij e madhe.

Një shtator dhe një muze në Prishtinë janë një arsye e madhe, që Bogdani dhe vepra e tij të mos harrohet asnjëherë, që ai të nderohet për gjithnjë si njeri i shquar i historisë dhe i kulturës sonë kombëtare./AktivPress/