Një muaj nga arrestimi i Jakup Krasniqit nga Specialja

2 muaj më parë

Një muaj nga arrestimi i Jakup Krasniqit nga Specialja

Sot janë bërë një muaj nga arrestimi i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe dërgimit të tij në Hagë nga Specialja.

Mëngjesin e 4 nëntorit, njësitet e EULEX’it për orë të tëra kanë kryer bastisje në shtëpinë e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Përveç në Prishtinë, operacioni është zhvilluar edhe në vendlindjen e Krasniqit, në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.

Pas bastisjes, Krasniqi u arrestua dhe u bë e ditur se iu është konfirmuar aktakuza për krime të luftës. Më vonë, atë ditë ai u nis drejt Hagës.

Aktakuza kundër Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Krasniqi ishte i pari që u arrestua nga Specialja pas konfirmimit të aktakuzës.

Një ditë më vonë u arrestuan edhe ish-presidenti Hashim Thaci, ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, e shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi./Express