3 javë më parë

Një impuls i ri për çështjen e Kosovës?

Një impuls i ri për çështjen e Kosovës?

Stabilitet, stabilitet, stabilitet – ky është elementi bashkues që do ta bëjë Gjermaninë dhe Francën të kujdesen sërish më intensivisht për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai është edhe emëruesi i përbashkët i një politike mes Berlinit e Parisit, që nuk është pa dallime, kur vjen puna te Ballkani Perëndimor. Por, edhe një pikënisje realiste pozitive, që artikulon qartë interesin për Ballkanin, pa pasur pritshmëri të kota dhe ndezje shpresash.

Në samitin për Ballkanin Perëndimor në Berlin që në fillim të dy politikanët e nivelit të lartë nuk e fshehën se për çfarë nuk do të bëhet fjalë në këtë takim joformal: Nuk do të flitet për perspektivën europiane, as për Procesin e Berlinit dhe as “për t’i diktuar një zgjidhje” Prishtinës dhe Beogradit në konfliktin për çështjen e Kosovës. Se përse do bëhej fjalë më shumë, edhe kjo u bë e qartë: Siguria, luftimi i kontrabandës së armëve, terrorizmi, migracioni i pakontrolluar dhe kriminaliteti i organizuar. Këto janë interesat e përbashkët prioritare për rajonin.

Kujdes me stabilokratët

Prioriteti i stabilitetit e bën politikën për Ballkanin Perëndimor konsekuente dhe të argumentueshme në Europën e BE-së, por ai duhet të përplotësohet politikisht. Sepse në fund stabilitetin e dëshiruar mund ta garantojë vetëm një partner i besueshëm politikisht. Dhe besueshmëria e politikës funksionon edhe në Ballkanin Perëndimor përmes organeve demokratike të kontrollit dhe politikës demokratike të legjitimuar. Kush nuk e merr seriozisht sa duhet sot shtetin ligjor, nuk ka për të qenë aq serioz edhe në politikën e jashtme.

Të besosh tek stabilokratët, që vërtet zbusin valët e refugjatëve, por gërryejnë nga brenda demokracinë është dritëshkurtësi. Gabimet e bëra në rajone të tjera nuk duhet të përsëriten në Ballkanin Perëndimor! Prandaj është shumë e vlerësueshme që megjithatë, në fund të këtij samiti të Ballkanit Perëndimor dolën konkluzione politike të bashkiniciatorëve gjermano-francezë. Ato u sjellin ndërmend pjesëmarrësve ndër të tjera detyrimin “për qëndrim të patundur pro demokracisë, shtetit ligjor dhe akte të përgjegjshme shtetërore, për luftimin e korrupsionit si edhe forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe mediave të pavarura”. Letra thuhet se është durimmadhe. Por do të kishte qenë fatale, nëse ky sinjal nuk do të jepej.

Pikërisht ndërlidhja e interesave të stabilitetit dhe një politikë europiane e orientuar nga e ardhmja bëri që të arrihej vitin e kaluar një sukses historik në grindjen dhjetëvjeçare mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Efekti i këmbënguljes së Merkelit dhe Macron

E, parametra të tillë duhet të jenë vijat orientuese edhe në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Grindja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte ndoshta arsyeja më urgjente për thirrjen e samitit, por edhe detyra më e vështirë e tij: duhej të fshihej përfundimisht nga tryeza e bisedimeve ideja e korrigjimit të kufijve në kompensimin mes Kosovës dhe Serbisë, një “deal” që presidentët e të dyja vendeve me mbështetjen amerikane prej muajsh e kishin sjellë në skenë.

Kjo bëri që në kryeqytetet europiane të binin sirenat e alarmit. Sepse u thye një tabu: Zhvendosja e kufijve si pjesë e një kompensimi bilateral. E jo pa të drejtë shumë i tremben një efekti negativ në vendet fqinje, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, një konstrukt i brishtë i rrezikshëm nga thyerje të tilla tabush etnopolitike.

Këmbëngulja e Merkelit dhe Macron për një dialog të udhëhequr nga BE e dha më në fund një efekt: Serbia dhe Kosova duan sërish të futen në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, me qëllimin e arritjes së një marrëveshjeje të zgjeruar dhe përfundimtare, që i shërben stabilitetit në rajon dhe hap rrugën drejt Europës.

Sikur gjysma e konkluzioneve të këtij samiti të çohet seriozisht përpara, atëherë ky samit arriti shumë: Mbi bazën e interesave të përbashkëta të stabilitetit arrihet uniteti mes Gjermanisë dhe Francës në politikën për Ballkanin Perëndimor. Ky duet i fuqishëm europian sjell kështu një dinamikë të fuqishme në proceset e ngecura apo të orientuara gabim në rajon, sidomos në marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë. E rëndësishme është që ky impuls dhe presion të mbahet gjallë nga Berlini dhe Parisi. Ndryshe ato do të bëheshin shpejt pluhur diku mes Beogradit e Prishtinës./DW