“Një histori Ballkani” me rrëfimet e dy animatorëve shqiptarë

1 muaj më parë

“Një histori Ballkani” me rrëfimet e dy animatorëve shqiptarë

“Një histori Ballkani” është një nga programet e shumta që sjell festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” në edicionin e tij të 10-të. Në kuadër të këtij programi, pesë animatorë nga Ballkani tregojnë për punën e tyre dhe lidhjen e fuqishme që kanë me animacionin.

Joan Kamberaj, Visar Arifaj, Ana Nedelkoviq, Nikola Majdak Jr. dhe Daniel Suliq janë animatorët që sjellin historitë e tyre .

Të martën, në ditën e dytë të “Anibarit”, Joan Kamberaj dhe Visar Arifaj, kanë shpalosur historitë e tyre. Kamberaj, artisti nga Shqipëria qe i pari i cili solli rrëfimin e tij. Ai është i pasionuar pas punëdoreve dhe mediumeve digjitale. Krijon animacione shumëngjyrëshe dhe me dorë për disa marka e studio. Puna e tij karakterizohet me video të shkurtra, filma dhe reklama.

Gjatë së martës, në kino “Jusuf Gërvalla” pas diskutimeve u shfaq edhe filmi “Abeo”, në të cilin Kamberaj kishte punuar plot dy vjet. Filmi i realizuar në vitin 2014 kishte qenë edhe videoja e parë e gjatë për të. “Abeo”, që zgjat 6 minuta, është shfaqur në festivale të ndryshme të filmit.

“Po të shihni punën time tani dallon shumë nga ajo në film, kuptohet ajo ishte edhe puna ime e parë”, ka potencuar Kamberaj. Ai e mban filmin e tij një version të përfunduar dhe e sheh si një mundësi për të parë ndryshimet.

Mirëpo të kundërtën e bën Visar Arifaj. Ai ka pesë vjet që punon në filmin e tij “Nc nc nc”. Vite më parë ai e kishte përfunduar versionin e parë të këtij filmi, mirëpo i pakënaqur vazhdon ta përpunojë. Versionin akoma të papërfunduar të filmit, Arifaj e solli edhe para publikut të “Anibarit” po në kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

Filmi i tij shtjellon historinë e një personi që ka probleme me pagjumësinë, dhe gjersa ai tenton që t’i vërë në gjumë gjithë ato gjëra që po e mbajnë zgjuar. Shoku, shefi, dhe filmi vazhdon duke shtuar më shumë karaktere brenda kësaj “feste” në dhomën e atij që nuk e zë gjumi.

Visar Arifaj është disenjator grafik i fokusuar në ilustrime dhe animacione klasike. Nga viti 2013 njihet si një nga themeluesit dhe kryetar i “Partisë së Fortë”.