Niveli superior evropian, “i paarritshëm” për skuadrat kosovare

2 muaj më parë

Niveli superior evropian, “i paarritshëm” për skuadrat kosovare

Klubit të volejbollit të meshkujve, Ferizaj, i është dashur të presë gati tri dekada për ta fituar titullin e kampionit. Për suksesin historik morën shumë lëvdata dhe premtime për mbështetje financiare.

Por, për shkak të mungesës financiare dhe një palestre që nuk i plotëson kriteret, klubi Ferizaj vendosi të luajë në Ligën Ballkanike, duke hequr dorë nga mundësia e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve (Champions League) dhe “CEV Cup”. Për shkak të vështirësive financiare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, edhe M-Technologie që fitoi titullin e kampionit te femrat është tërhequr nga pjesëmarrja në Kupën Sfiduese (Challenge Cup), derisa në këtë nivel të garave është paraqitur për pjesëmarrje Drita e Gjilanit.

Mirëpo, jo vetëm për klubet e volejbollit, pasi niveli superior evropian është “i paarritshëm” për skuadrat e tjera kosovare. Nga pjesëmarrja në garat evropiane për edicionin e ri janë tërhequr të gjitha klubet e basketbollit, që në të kaluarën janë mburrur për sukseset e arritura, derisa ato të hendbollit po ashtu kanë hequr dorë e drejta e garimit në nivele më të larta se ku do të marrin pjesë. Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) kishte mundësinë të paraqiste klubet në Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup.

“E kemi një vend të lirë në Ligën e Kampionëve, por për shkak se ne si Kosovë nuk i përmbushim kushtet e palestrës, ku parashihet të jetë me 5.000 ulëse e po ashtu edhe kotizimi është më i madh, nuk kemi asnjë skuadër të paraqitur në këtë nivel garash. Fituesi i titullit po merr pjesë në ‘Challenge Cup’. Kjo garë është vlerësuar më e kapshme për klubet tona. Mundësi kanë pasur edhe në ‘CEV Cup’. Më herët, klubet tona kanë marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, por tash janë rritur kriteret për pjesëmarrje”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi për KOHËN.

Një mundësi e kishte edhe Ferizaj, por që është tërhequr, shkaku i kostos së lartë për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve.

Trajneri i klubit të volejbollit Ferizaj, Arlind Ibrahimi, ka thënë se do të mundohen të arrijnë sukses në Ligën Ballkanike. Në fakt, suksesi në Ligën Ballkanike nuk vlerësohet. Është nivel i ulët i garimit. Për shembull vitin e kaluar kanë marrë pjesë vetëm katër ekipe.

“Kostoja e pjesëmarrjes është tepër e lartë. 70 për qind të buxhetit për t’u bërë kampion shkon në dy ndeshje të Ligës së Kampionëve. Nuk e kemi parë të arsyeshme, sepse nuk kemi pasur pretendime e as nivel të ekipit për të shkuar lart, kurse kemi vlerësuar se në Ligën Ballkanike mund të arrijmë suksese, pra edhe ta fitojmë. Organizohet si në një formë turneu dhe gjasat i kemi më të mëdha”, ka thënë Ibrahimi.