Nissani, Infiniti, Renaulti dhe Mitsubishi do të përdorin të njëjtën platformë elektrike

10 muaj më parë

Nissani, Infiniti, Renaulti dhe Mitsubishi do të përdorin të njëjtën platformë elektrike

Nissani ishte njëri ndër prodhuesit e parë që ka lansuar veturë elektrike, me modelin Leaf elektrik qysh në 2009-ën, e që sinjalizonte se ka ambicie të mëdha drejt elektrifikim.

Deri tani, më shumë se një dekadë më vonë, e tëra që ka bërë është lansimi i gjeneratës së dytë të modelit Leaf dhe krijimi i një versioni elektrik të veturës komerciale NV200, asgjë më shumë.

Tani, prodhuesi japonez i veturave është duke zhvilluar një platformë krejtësisht elektrike e cila do të përdoret nga të gjitha markat aleate të saja, për prodhimin e veturave të tyre elektrike.

Pra kjo platformë nuk do të përdoret vetëm në modelet e Nissanit por edhe nga veturat elektrike të Renaultit, Mitsubishit e Infinitit.

Kjo platformë ofron fleksibilitet të madh kur vije puna te madhësia dhe stili i veturave, sipas Alfonso Albaisa, shef i dizajnit në Nissan.

Vetura e parë që do ta përdorë këtë platformë do të jetë SUV-i i Nissanit, Ariya.

Modeli Ariya do të jetë crossover më i madh se modeli Leaf por nuk do të jetë shumë më i shtrenjtë se ai.

Fokusi në modelin e ri, Ariya do të jetë në performancat e tij.

Ariya i ri me shumë gjasë do të ketë dy motorë elektrik të cilët janë testuar në Nissan Leaf, e që prodhojnë së bashku 304 kuajfuqi.

Ariya do të jetë në të njëjtën ligë me Ford Mustang Mach-E, që do të thotë se shpejtësinë nga 0 në 100 km/orë do ta arrij për rreth 5 sekonda.