Nishani: Gjilani është nderi i Kosovës

3 vite më parë

Nishani: Gjilani është nderi i Kosovës

Pas seancës së Kuvendit Komunal, në të cilën u shpall “Qytetar Nderi” i Gjilanit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në teatrin e qytetit, deklaroi se Gjilani është nderi i Kosovës.

Presidenti Nishani, foli i emocionuar para qindra të pranishmëve, i cili tha se qyteti i Gjilani është shquar për burra të pushkës dhe mendjes.

“Gjilani është nderi i Kosovës, nderi i kombit shqiptar dhe nderi i historisë sonë kombëtare. Qyteti juaj, poshtu edhe i imi, në historinë tonë kombëtare, është shquar për burra të pushkës dhe të mendjes. Gjilani, Karadaku, por edhe Anamorava e Kosova Lindore, historikisht i kanë vënë gjoksin dhe jetën në dispozicion të mbrojtjes së trojeve shqiptare”, tha Nishani.

“Sundimet e pushtimet sollën shumë dhunë dhe gjak në këto anë. Pushtimet, luftërat ballkanike, por edhe Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, nuk lanë asnjë familje në këto anë pa e goditur, nuk lanë asnjë familje pa e dhunuar, pa e djegur si shtëpi. Në asnjë familje nuk pati së paku një anëtar të sakrifikuar për mbrojtjen, për rezistencë, për ekzistencë dhe për përcjellje të indentitetit tonë kombëtar”, u shpreh presidenti Nishani.

Ndërkaq, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, theksoi se qytetarët e Gjilanit historikisht janë kryengritës në rrethana të luftës, por paqësor në rrethana të paqes

“Ky vend, është kryengritës në rrethana të luftës, por është paqësor në rrethana të paqes. Janë njerëz punëtorë dhe kudo që jetojnë ata, me djersën dhe punën e tyre, kontribuojnë për familjet. Solidariteti i tyre është jashtëzakonisht i madh. Këta bashkëqytetarë që janë këtu e në mërgatë, zotëri president, vetëm për dy vite, kanë ndërtuar 40 shtëpi për familjet në nevojë. Ndërsa, falë policisë, prokurorisë, gjyqësorit, e mbi të gjitha, qytetarëve, asnjë vrasje me motive kriminale nuk ka pasur në Gjilan për më shumë se 3 vite e gjysmë”, ka thënë Haziri.

Nishani në këtë ceremoni gjithashtu dekoroi tetë personalitete të Gjilanit, të cilët janë sakrifikuar për lirinë e shqiptarëve, me titullin “Nderi i Kombit” për Idriz Seferin dhe titullin “Dekorata e Artë e Shqiponjës” për Hasan Masuricën, Zeqir Hysen Zeqirin, Vehbi Ibrahimin, Ramadan Agushin, Haki Efendi Sermaxhaj, Rrustem Mustafë Hazirit e Sali Kupinës, pas vdekjes./AktivPress