Nis gjykimi ndaj Stanishiqit për krime lufte në Sllovi e Tërbovc

1 muaj më parë

Nis gjykimi ndaj Stanishiqit për krime lufte në Sllovi e Tërbovc

I akuzuari për krime lufte ndaj popullatës civile në Komunën e Lipjanit, Goran Stanishiq, të mërkurën është paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në seancën fillestare Stanishiq, deklaroi se është i pafajshëm për veprat që akuzohet, transmeton KTV-ja.

Për shkak të ndjeshmërisë, gjykatësi i rastit, Valon Kurtaj i ka lejuar mediat të xhirojnë vetëm deri në leximin e aktakuzës dhe ka urdhëruar të mos ia publikojnë fytyrën të akuzuarit.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Stanishiqin se gjatë muajit prill në vitin 1999 në fshatin Sllovi të Lipjanit, nё bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të njësive rezervë ushtarake dhe policore të Serbisë, ka maltretuar popullatën civile, dëbuar, plaçkitur e vrarë dhjetë persona.

Sipas aktakuzës Stanishiq dyshohet se ka kryer krime edhe në fshatin Tërbovc.

Mbrojta ndërkohë ka thënë se pret një gjykim të drejtë.

“Aktualisht është e vështirë të vlerësohet aktakuza, meqë Prokuroria nuk ia ka dorëzuar dëshmitë mbrojtjes e që është e obliguar me ligj. Andaj u morëm vesh që prokurorja brenda shtatë apo tetë ditëve t’i dorëzojë këto dëshmi. Është e komplikuar të vlerësohet pa dëshmi, por përshtypja ime është se kjo lëndë është e komplikuar në aspekt ligjor. Na pret punë e vështirë”, ka thënë avokati i Stanishiqit, Ljubomir Pantoviq.

I akuzuari për krime lufte Goran Stanishiq, ishte arrestuar në muajin korrik të vitit të kaluar dhe është ende në paraburgim.