Nga sot punëtorët duhet të pajisen me vërtetim për të dal jashtë në kohën kur lëvizja është e kufizuar

3 ditë më parë

Nga sot punëtorët duhet të pajisen me vërtetim për të dal jashtë në kohën kur lëvizja është e kufizuar

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka njoftuar se që nga dita e sotme të gjithë punëtorët që duhet të dalin në punë gjatë kohës sa është e kufizuar lëvizja, duhet të jenë të pajisur me një vërtetim si dëshmi se janë punëtor të kompanisë së caktuar.

Qalaj në RTV Dukagjinit, ka thënë se ky vërtetim mund të sigurohet për punonjësit nga kompanitë përkatëse, të cilat me kohë janë njoftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministria e Tregtisë dhe Ambientit.

Drejtori i Policisë së Kosovës, bëri të ditur se kjo është urdhëresë nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

“Që nga sot, kemi një urdhëresë e u.d të ministrit të MPBA-së, të gjithë qytetarët duhet të kenë leje nga punëdhënësi që është duke dalur në punë. MPBA në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, kanë marrë një vendim që operatorët ekonomik të bëjnë listën e punëtorëve dhe pastaj të shtypen disa vërtetime që të dihet se personat janë punonjës së kompanisë së caktuar. Kompanitë besoj se janë njoftuar me kohë në lidhje me sigurimin e këtyre vërtetimeve”, tha Qalaj.

Këto vërtetime, mund të merren duke aplikuar përmes email adresës: [email protected]

E në ndërkohë, ai tha po ashtu se bashkëpunimi i qytetarëve ka qenë mjaft i mirë edhe para vendimit të Qeverisë për kufizim të lëvizjes, por edhe tash kur është kufizuar koha se kur mund të lëvizin qytetarët nëpër rrugë.

“Që nga fillimi i implementimit të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes, kemi bërë fillimisht informimin e qytetarëve për këtë orar. Shumica e qytetarëve janë duke e respektuar, por edhe para vendimit të Qeverisë kanë qenë duke qëndruar brenda”, tha Qalaj.