7 muaj më parë

Nga Berlini në Paris

Nga Berlini në Paris

Si duket, në këtë moment, Evropa nuk po mundet t’i ofrojë Kosovës, atë çfarë Kosova ka shumë nevojë. Kosova ka nevojë për përkujdesjen evropiane me çdo kusht. Edhe kur Evropa ka probleme brenda, edhe kur Kosova ka probleme brenda. Në të njëjtën kohë, Kosova nuk po mund t’i ofrojë Evropës, Kosovën e pritjeve të Evropës.

Gjithçka lidhet me mungesën e besimit dhe mirëmbajtjes së mirëbesimit në mënyrë konsistente.

Për t’a arritur këtë, Kosova duhet të tregojë, evidencë e përtej evidence, që ka arritur progresin e nevojshëm në fusha kyqe. Në këtë intermezzo pritjesh latente, të dyanshme, rruga më e sigurtë për Kosovën është t’i kthehet punëve brenda saj, dhe të avancojë me shpejtësi, duke përshpejtuar transformimin e gjithanshëm.

Kosova duhet të tregoj që është shtet i së drejtës, që ligji sundon në Kosovë, që në Kosovë nuk sundohet ligji, që administrata publike është në shërbim të qytetarit, dhe të drejtat e secilit individ respektohen dhe zbatohen. Ky është bazamenti, tjerat janë fasadë.

Ky transformim i gjithmbarshëm shoqëror e kulturor, është i domosdoshëm, sepse, përplasja nuk ka të bëjë vetëm me sjelljet e paduhura momentale, por ka të bëjë me sjelljet momentale plus efektin afatgjatë të sjelljeve të paduhura në të kaluarën për kohë të gjatë.

Kjo ka të bëjë me kapacitetin udhëheqës aq të nevojshëm për Kosovën, dhe rolin dhe përgjegjësinë e qytetarit të vetëdijshëm për të zgjedhur dhe për t’i dhënë fuqinë njerëzve të duhur.

Kjo do të mundësonte lehtësimin dhe stimulimin e vendosjes së besimit, dhe tejkalimin e mosbesimit të thellë të krijuar.

Sido që të jetë, qytetarët duhet të kenë besim në shtetin e Kosovës, dhe në identitetin e tyre europian dhe të ardhmen europiane, të vonuar por të pashmangshme.

AktivPress