NEWBORN-i si homazh për viktimat e përdhunimeve

8 muaj më parë

NEWBORN-i si homazh për viktimat e përdhunimeve

Të shtatë shkronjat e monumentit të Pavarësisë – NEWBORN – do të sublimojnë një mesazh të rëndësishëm për këtë vit.

Në formë thirrjeje, mesazhi “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime dhe shpërfillje” (në anglisht “Never Ending Wars Bring Opression, Rape & Neglect”) do të jetë homazhi i sivjetmë që u kushtohet viktimave të abuzimit seksuale gjatë konflikteve anembanë botës.

Kështu, ngjyrat e zeza do të mbulojnë gjashtë shkronja të monumentit, përderisa “W” do të përshkohet nga motive floreale. Në faqen e “NEWBORNIT” në Facebook, të premten në mbrëmje, është njoftuar për idenë me rastin e ndryshimit të dukjes së monumentitt, shkruan sot Koha Ditore, transmeton AktivPress.

Me synimin që natyra e mesazhit të përfshijë Kosovën si pjesë të pandashme të rruzullit, “NEWBORN” ka bërë me dije se deri më tani i ka shprehur vizualisht “mirënjohje botës për ndihmën dhënë Kosovës për ta kapërcyer shtypjen, ka nxitur lirinë e shprehjes, ka thirrur kundër izolimit dhe ndërtimit të mureve në vend të urave, si dhe e ka ngritur vetëdijesimin për çështje mjedisore dhe për ngrohjen globale”.

“Sivjet ‘NEWBORN’ synon ta prekë një çështje fort të ndjeshme dhe shpesh të lënë mbas dore: viktimat e përdhunimit gjatë konfliktit dhe gjithë mundin e tyre për t’i kapërcyer vuajtjen dhe poshtërimin e përjetuar”, thuhet në kumtesën e afishuar në Facebook.

Teksa ka përkujtuar që çdo shtet e komb është përballur me këtë çështje të paktën një herë gjatë historisë së vet, “NEWBORN” ka përkujtuar viktimat femra që përdhunohen dhe ato që i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri.