Nesër 55 kosovarë kthehen nga Zvicra, dërgohen menjëherë në konvikte

2 muaj më parë

Nesër 55 kosovarë kthehen nga Zvicra, dërgohen menjëherë në konvikte

55 qytetarë të Kosovës do të kthehen nesër nga Zvicra. Menjëherë pas kthimit, ata do të vendosen në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë.

Lajmin e ka konfirmuar Shefi i Kabinetit të Ministrit Abdixhiku, Alban Zogaj.

“Po Arjeta, do të ketë fluturim nesër nga Zvicrra. Do të kthehen 55 qytetarë të Kosovës, të cilët do të vendosen direkt në Qendrën e Karantines”, ka thënë Zogaj për Express.

Ndryshe, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku kishte njoftuar se të gjithë të kthyerit do të vendosen në karantinë 14 ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku kishte thënë se kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat do të vazhdojë në mënyrë të kujdesshme dhe të organizuar.

Ai kishte bërë thirrje që qytetarët e ngujuar të vazhdojnë t’i kontaktojnë ambasadat.

“Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu – do të vazhdojë. Këtë punë do ta bëjmë dhe zhvillimet tjera s’janë brenga e jona tani”, kishte shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar mbrëmë edhe tetë raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 71.

“Sot me 25.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar tridhjetë e katër (34) mostra të marra të rasteve të hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga terreni. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, tetë (8) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive”, shkruhet në njoftim.

Sipas IKSHP’së, rastet e konfirmuara pozitive janë raste kontakti prej të cilëve 4 raste janë me vendbanim në fshatin Domanek- Malishevë, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast me vendbanim në fshatin Studime e ulët-Vushtrri.