10 muaj më parë

Nëse zgjedh(im) keq fajin e ke(mi) vetë

Nëse zgjedh(im) keq fajin e ke(mi) vetë

Demokracia nuk është sistem ideal i qeverisjes, por është më i miri prej sistemeve jo të përkryera. Pse? Sepse të jep raste ta konfirmosh zgjedhjen e mirë, ose ta përmirësosh gabimin për zgjedhjen e keqe fillestare. Këtë mundësi demokracia ua jep si partive politike, që mund të kenë nxjerrë kandidatura të këqija, ashtu edhe zgjedhësve (votuesve) që mund të kenë votuar për kandidatë të këqinj, pa i njohur vetë, duke i besuar përzgjedhjes partiake.

Në shoqërinë tonë populli apriori merr atribute absolute, për hir të korrektësisë politike. Populli është i mirë, i pafajshëm, ndërsa partitë të këqija (përveç në sytë e militantëvë të tyre, që gjithësesi janë në pakicë), në idenë e njeriut të zakonshëm. S’është që popujt nuk gabojnë, siç e dëshmon historia, duke zgjedhur udhëheqës të këqinj.

Partitë përfaqësojnë pjesë të popullit, të mëdha a të vogla. Përfaqësuesit e partive që zgjidhen me votë bëhen përfaqësues (deputetë) të popullit në Kuvend, ndërsa të emëruarit me votë në Kuvend marrin detyra me peshë qeverisëse, Kryeministër, ministra në Qeveri, President i vendit. Në mënyrë të tërthortë, edhe këta përfaqësues të popullit. Qeveritarë legjitimë gjithësesi, madje edhe kur qeverisin keq.

Diçka nuk ecën në këtë idenë e popullit të mirë dhe të përfaqësuesve/qeveritarëve të këqinj të tij. Paevitueshëm shtrohet pyetja: kush po i zgjedh këta të fundit? Disa syresh kanë marrë dy, tre, katër a pesë mandate popullore në Kosovë, teksa kanë shpërfaqur karakterin e tyre lojcak, mungesën e parimeve dhe korrupsionin e tyre moral.
Pushteti i zgjedhësit është vota e tij/saj, që do të duhej të hidhej një herë në katër vjet, si për pushtet lokal (në komuna) ashtu edhe për qeverisje më nivel vendi. Në Kosovë është hedhur më shpesh në këto vite të lirisë e të pavarësisë.

Do pranuar se nëse zgjedh(im) keq fajin e ke(mi) vetë. Nëse voton të padijshmin, uzurpatorin, konvertitin (ndërruesin serik të partive) – për hatër a për inat të kujtdoqoftë – ke zgjedhur shembëlltyrën e tyre. Do të jetosh me konsekuencat e zgjedhjes sate dhe me pushtetin e këtij soji njerëzish. Sot e nesër./AKTIV PRESS/