“Nëse Kushtetuesja e shpallë të pavlefshme votën e Arifit, zgjedhjet të pashmangshme”

2 muaj më parë

“Nëse Kushtetuesja e shpallë të pavlefshme votën e Arifit, zgjedhjet të pashmangshme”

Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, thotë se të mërkurën Gjykata Kushtetuese mund të tregoj që procedurat e zgjedhjes së Qeverisë Hoti kanë qenë jokushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2 dhjetor do të mbajë një seancë publike (online) për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, që qeveria Hoti të shpallet anti-kushtetuese, për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

E Kusari-Lila, tha se nëse ka një vendim në favor të kërkesës së Vetëvendosjes, atëherë çështja do të kthehet në pikën zero dhe se zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Gjykata Kushtetuese mund të sjellë një aktvendim lidhur me kërkesën e cila është bërë e cila mund të rezultojë që tregon se procedura e zgjedhjes së qeverisë Hoti ka qenë procedurë jashtëkushtetuese për faktin se ka qenë një votë e kontestuar në raport me konsekuencat ligjore, të cilat i ka pasur ai deputet. Pas asaj mund të kërkohet që në periudhë të shkurtër kohore të vendoset procesi në pikën zero pas së cilës nënkuptohet që nuk shoh zgjidhje tjetër përveç se vendi të shkojë në zgjedhje”, shtoi Kusari-Lila.

Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar më 11 qershor në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.

“Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tyre, pjesëmarrja e Arifit si dhe votimi i tij për qeverinë Hoti e bën jolegjitime këtë qeveri./EO/