4 muaj më parë

Nëse Camaj ishte UDB-ash, fajtor për këtë është mendësia dhe kuti komunist i Tares

Nëse Camaj ishte UDB-ash, fajtor për këtë është mendësia dhe kuti komunist i Tares

Në shtator të vitit 2015, në bashkëpunim me Ambasadën serbe në Tiranë, në Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë hapet ekspozita “Tërheqja e madhe”, që përmes fotografive “fliste” për “humbjet e Ushtrisë serbe në tokat shqiptare më 1915”. Fjala është për atë që serbët e quajnë “Golgota shqiptare”, për kohën kur Ushtria serbe – e mundur nga gjermanët, austriakët e bullgarët – kalon në Selanik nëpërmjet tokave shqiptare. Më 25 nëntor 1915, Ushtria serbe tërhiqet përmes Pejës, Gjakovës e Prizrenit për në Shkodër, e pjesa tjetër përmes Dibrës e Strugës për në… Elbasan! Kudo ku shkelën ata – në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni e në Shqipëri – bënë masakra ndaj shqiptarëve.

Në këtë ekspozitë, Auron Tare – që atëherë ishte drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit – foli për “kalvarin e këtij marshimi me një përfundim tragjik” dhe për rreth “150-200 mijë ushtarë dhe civilë serbë të vdekur”. Nuk tha asgjë më shumë, pos që u deklarua sipas interesave të Serbisë që edhe Shqipërinë e sheh si një varr masiv serb. E, sipas miteve të Serbisë së Madhe, aty “ku ka varre serbe, ato janë toka serbe”!

I njëjti Auron Tare, këto ditë është marrë me figurën e Ernest Koliqit dhe të Martin Camajt. Pas shkrimit të tij me titullin “Dritëhije në histori”, të publikuar te “Peizazhe të fjalës”, vërshuan reagimet anembanë Shqipërisë. Por, reagimet e tilla më shumë kishin karakter të dallimeve veri-jug; të konflikteve mes veriut anti-komunist (sidomos atyre të besimit katolik) dhe jugut komunist. Kishte shumë emocione, por pakkush është marrë me shkakun dhe pasojën.

Shkrimi i Tares në mënyrë indirekte prek edhe Kosovën. Sepse, një figurë si Ernest Koliqi portretizohet veç si spiun i shërbimeve amerikane dhe gjermane. Ai krijon insinuata se nuk ka menduar për Kosovën, se ka kërkuar veç para dhe se informatat e tij janë përdorur nga shërbimi sovjetik KGB dhe ai jugosllav UDB!

Koliqi ishte anti-komunist dhe mërgata anti-komuniste, e cilitdo popull, ka bashkëpunuar me perëndimorët për ta përmbysur regjimin komunist, qoftë ai në Shqipëri, në Poloni, në Jugosllavi e madje edhe në BRSS. Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit të Shqipërisë, bashkë me administratorin e parë të Kosovës, Koço Tasin, janë më meritorët për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, në vitin 1941. Fal tyre dhe të tjerëve si Xhafer Deva apo Iljaz Agushi, në Kosovën e nëpërkëmbur ndodhi ajo që do të njihet si “pasha ato tri ditë të Shipnisë”!

Duhet ditur se gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët nuk kishin forcë e as ndikim të përcaktonin fatin e raporteve mes Boshtit dhe Aleancës. Por, sipas etalonit “jugor” që përdor Tare, dhe fatkeqësisht të plot të tjerëve në Kosovë, emrat e sipërpërmendur, patriotë dhe intelektualë, janë veçse kuislingë. Kaq. Nuk analizohen fare rrethanat mizore në të cilat kanë jetuar shqiptarët nën Mbretërinë e Jugosllavisë, e as ato nën Jugosllavinë komuniste. As liria e as tmerri që e vuan sërish shqiptari pas atyre “tri ditëve të Shipnisë”. As tendenca që Shqipëria të jetë krah Perëndimit (sepse, nga Aleanca nuk dënohet as Koliqi e as Deva)…

Auron Tare thotë po ashtu se Martin Camaj, një ndër poetët dhe albanologët më të vlerësuar shqiptar, ishte njeri i UDB-së famëkeqe jugosllave. Diçka e tillë është aluduar më herët nga “dokumentet” e CIA-s, që janë publikuar nëpër media. Aty përmendet i ashtuquajturi Komiteti i Prizrenit që udhëhiqej nga Dushan Mugosha (miku i Enver Hoxhës), e ku merrnin pjesë kryesisht shqiptarët që kanë ikur nga Shqipëria. Se në anën e UDB-së rekrutoheshin më lehtë shqiptarët që nuk ishin nga Kosova (përfshirë ata të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës apo të Malit të Zi), këtë e ka thënë edhe Nafi Çegrani në librin e tij “Ballë për ballë me UDB-në”. Shto kësaj faktin se Camaj kishte për grua të bijën e një funksionari serb; se në Jugosllavi i përfundon studimet deri në doktoratë; se në kohën e faqeziut Aleksandër Rankoviq, një i ikur nga Shqipëria ishte i privilegjuar… të gjitha këto shkojnë në favor të aludimeve të Tares.

Por…

Edhe një njeri i UDB-së ka mundur të bëjë vepra të mira; të shpëtojë njerëz; të japë informata të rrejshme… Gjithçka është e mundur, përderisa nuk ka dëshmi konkrete për të si njeri i rekrutuar nga UDB-ja e as për raportet që ka shkruar si “agjent”. Po ashtu, nuk duhet harruar se UDB-ja ka qenë e aftë për të krijuar huti, për njerëz të caktuar e me vlerë, dhe se ka bashkëpunuar ngushtë me Sigurimin e Shqipërisë. Ndaj, faktet reale thonë se Camaj është veç poet dhe albanolog i madh, emër i shquar për shqiptarët kudo ku ata jetojnë.

Tare përmend, si dëshmi, pjesë të dosjes së Sigurimit të Shqipërisë, kur Camaj dyshohej për lidhje me një “bandë të arratisurish pro-jugosllavë”. Ai arrestohet më 5 maj 1948. Më 10 maj 1948 thuhet se merret në pyetje në zyrën e Sigurimit të Shtetit në Shkodër, ku “dëshmon” kundër disa prej mësuesve të tij fretër jezuitë, në veçanti Xhovani Faustit dhe Danjel Dajanit që janë dënuar me pushkatim nga regjimi komunist. Tare thotë se ai u rekrutua nga Sigurimi me pseudonimin “Bregu i Kuq”. Pastaj, papritmas ikën për në Jugosllavi (Kosovë).

Secili që ka lexuar, së paku veprën e Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, e kupton se sa mizor ishte regjimi komunist i Shqipërisë. Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, ai madje ka thënë se shumë gjëra të tmerrshme nuk i ka përfshirë në atë vepër, meqë njerëzit do të mendonin se është trillim. Pra, në Shqipëri kanë ndodhur gjërat që mendja e shëndosh nuk i kupton.

Kështu, a duhet me pasë mirëkuptim për detyrën e rëndë që ia ka imponuar Camajt regjimi komunist shqiptar?

Po.

Ndaj, edhe nëse ka qenë njeri i UDB-së (për çka dëshmi deri tash janë veç llafet), fajet për këtë i ka shqiptari. I ka mendësia e Tares, e matjes së gjërave sipas kutit komunist. Ajo mendësi që flet për “Golgogën serbe” midis Tirane; ajo mendësi në Shqipëri që akoma nuk tenton ta kuptojë nëpër çfarë ka kaluar shqiptari i Kosovës; ajo mendësi që e do më shumë Beogradin se Prishtinën; ajo mendësi që një shkrimtar të madh si Kasëm Tërbeshina e bëri ta quajë vetën turk; ajo mendësi që detyroi Kapllan Resulin (që ik në Shqipëri, pasi shkruan romanin “Tradhtia” ku flet për metodat çnjerëzore të partizanëve jugosllavë kundër popullatës civile shqiptare) ta quajë veten malazez; ajo mendësi që një mësues të Deçanit, i cili në kohën e Rankoviqit kërkon shpëtim në Shqipëri (por dorëzohet te organet e UDB-së për të vuajtur burgun në Golli Otokun famëkeq), e detyron që në regjistrimin e vitit 1981 në Kosovë të thotë se është rom…

Përderisa shqiptari i Shqipërisë nuk distancohet nga e kaluara komuniste dhe nuk e pranon se fajtor nuk ishte veç një njeri, pra Enver Hoxha, porse secili që i gëzohej të keqes së tjetrit… çdo shkrim si ky i Auron Tares, duhet… thjesht injoruar. Sepse, është më i dëmshëm – për Kosovën e për Shqipërinë – se e kaluara reale dhe fiktive e dikujt në UDB.

AKTIV PRESS