Nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit, gratë po mbështeten në hapjen e bizneseve të tyre

2 muaj më parë

Nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit, gratë po mbështeten në hapjen e bizneseve të tyre

Hadije Hasani ka qepur veshje të ndryshme përgjatë shumë viteve, mirëpo është një periudhë e jetës së saj, viti 2019, që do të mbetet përgjithmonë i ngulitur në memorien e saj.

“Kam qenë në kamp të refugjatëve, në Gjermani, vitin e kaluar së bashku me familjen time. Ka qenë një periudhë posaçërisht e vështirë në jetën tonë. Kam kaluar kohën duke qepur kapela për fëmijët e kampit nga materialet e rrobave të ndryshme që i kisha në dispozicion, por kam qepur edhe rroba për të tjerët që ishin në kamp sikurse ne” , thotë Hadija.

Hadija, madje ruan në telefonin e saj një fotografi të një fëmije, duke mbartur kapelën që ajo ia kishte qepur, fotografi për të cilën thotë se do ta ruajë si një kujtim të ëmbël, por edhe emocionues të një periudhe të jetës së saj.

Hadija u largua nga Kosova në vitin 2014 me bashkëshortin dhe djalin e saj, në atë kohë 14 vjeç. Për pesë vjet radhazi, familja Hasani ka qenë duke jetuar në mes të Suedisë dhe Gjermanisë, duke siguruar jetesën me vështirësi, përpara se të riatdhesoheshin në Kosovë, më 2019.

“Na u desh që të nisnim nga fillimi dhe ka qenë shumë e vështirë. Nuk kishim aq shumë të ardhura dhe unë isha e vetmja në familje që nisa të punoja pasi u kthyem, megjithëse për një periudhë shumë të shkurtër”, thotë Hadija.

Ambicia dhe përkushtimi i Hadijes për të ndërtuar diçka më vete dhe një dorë ndihme që iu ofrua gjatë këtij viti i ndryshoi gjërat pozitivisht për familjen e saj.

Ajo aplikoi për Programin e vetëpunësimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS)- Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, duke arritur të jetë një ndër përfitueset e programit.

Ajo tashmë ka nisur punën në biznesin e saj për të ofruar shërbime të rrobaqepësisë. Entuziaste dhe shumë e lumtur, Hadija thotë se aktualisht do të jetë e fokusuar më shumë në qepjen e maskave për shkak të situatës pandemike, krahas veshjeve të ndryshme.

MPMS-APRK, në bashkëpunim me UNDP-në kanë shpallur disa programe gjatë këtij viti në përkrahje të punëkërkuesve, duke shtuar përkrahjen që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19. Nëpërmjet fazës së parë të Programit të vetëpunësimit, janë mbështetur 136 punëkërkues të riatdhesuar, të cilët tashmë kanë hapur bizneset e tyre dhe kanë nisur punën ndërkaq së shpejti edhe shumë punëkërkues të tjerë të riatdhesuar do të pranojnë pajisjet për hapjen e bizneseve të tyre, si përfitues të fazës së dytë të Programit të vetëpunësimit, që po ashtu u shpall gjatë vitit 2020./IndeksOnline