Nëntëvjeçari Ledion Halitaj, “Petrit Çeku” i ardhshëm

1 muaj më parë

Nëntëvjeçari Ledion Halitaj, “Petrit Çeku” i ardhshëm

Me të pasur në dorë kitarën, ai futet në botën e tij ëndërrimtare, në botën e tij të vogël e me ëndrra të mëdha. Rrugëtimi i tij me këtë instrument ishte krejtësisht i rastësishëm. Aty ku jetonte ishte hapur një shkollë e muzikës. Me të parë atë, i kërkojë babait të tij që ta regjistronte pa e ditur që ajo do të bëhej dëshira e tij më e madhe.

Nëntëvjeçari Ledion Halitaj thotë se tashmë kitara i është bërë pjesë e pandashme e tij.

“Për herë të parë e kam marrë kitarën kur kam qenë tetë vjeç, në vitin 2020, në janar. Kur është hapur shkolla afër banesës e kam pyetur babain se a mund të regjistrohem në këtë shkollë- për kitarë. Dhe ditën e parë që kam ardhë në shkollë kam qenë shumë i gëzueshëm që do të mësoja një pjesë ose dicka të re në kitarë”, thotë Ledioni për Rtv Dukagjini.

Për më pak se një vit, ai nisi ta zotronte këtë instrument për mrekulli dhe të fitonte çmime në vende të ndryshme të rajonit.

“Çmimin e parë e kam marrë në Transilvani të Rumanisë. Pastaj në Maqedoninë e Veriut kam marrë dy çmime: në kategorinë time kam fituar çmimin e parë, ndërsa në kategorinë për më të rritur kam marrë çmimin e dytë. Kurse në Pleven të Bullgarisë kam marrë çmimin e dytë. Ndërsa këtë vit, në Maqedoninë e Veriut kam marrë çmimin e parë në dy kategori, në kategorinë time dhe në kategorinë për më të rritur, dhe po ashtu në Malin e Zi kam marrë çmimin e parë”, tregon Ledioni sukseset e tij.

Njëra nga pjesët e tij të preferuara për kitarë, ai thotë se është “El sueno de la muneca” nga Agustin Barrios.

Athua Ledioni do të jetë Petrit Çeku i ardhshëm?

Kjo është edhe ëndrra e nëntëvjeçarit. Madje, ai inspirohet nga tingujt e tij.

“Kur të rritem, përveç si profesori kam dëshirë të bëhem edhe si Petrit Çeku”, shprehet kitaristi i vogël

Ai që fshihet pas suksesit të Ledionit është profesori i tij, Erhan Mujka.

Ai thotë se talenti i Ledionit është parë qysh në ditët e para të ushtrimit të këtij instrumenti.

“Ledioni ka ardhur në shkollë në fillim të vitit 2020, në janar. Nuk ka qenë shumë vështirë për ta zbuluar talantin e tij, sepse i ka treguar ato afinitetet e veta qysh në fillim. Fatkeqësisht, dy muaj pasi kemi punuar fizikisht, u bë pandemia dhe u desht të ndërprehet mësimi, dhe mandej kemi punuar nja gjashtë-shtatë muaj online, pa u takuar asnjëherë. Megjithatë, Ledioni e ka treguar veten, dhe, edhe pse kemi punuar online pjesën më të madhe të kohës, ai pati marrë pjesë në një garë në Transilvani të Rumanisë dhe e pati zënë vendin e parë, gjë që ka qenë surprizë për të gjithë ne”, thotë Mujka.

Ledioni, siç thotë ai, është një prej nxënësve me përkushtimin më të madh që e ka pasur gjatë gjithë përvojës së tij si mësimdhënës.

“Kur është regjistruar në shkollë i ka pas vetëm tetë vjet e gjysmë por m’i ka dëgjuar të gjitha këshillat që ia kam dhënë, gjë që ka qenë pak e pazakontë për fëmijët e moshës së tij. Ndërsa tash, ajo i është bërë rutinë. Është shumë i dëgjueshëm dhe shumë i kuptueshëm. Dmth edhe i kupton, edhe i zbaton kërkesat e mia që i kam ndaj tij, për ta zhvilluar dhe për t’i dhënë drejtimin e duhur me kitarë”, deklaron Mujka.

I qetë, i buzëqeshur e me plotë pasion ndaj kitarës, Ledion Halitaj premton shumë./Rtv Dukagjini/