1 muaj më parë

Nënçmimi

Nënçmimi

(Apo: Edhe një herë për përbuzjen)

Nga: Blerim Gashani

Ka dhjetëra arsye pse çdo përpjekje për t’i nënçmuar e përbuzur mërgimtarët tanë (thashë përpjekje, jo nënçmim, jo përbuzje, sepse ne nuk kemi kaçik ta nënçmojmë a përbuzim askënd, bash askënd), dhemb shumë, tepër shumë.

Kjo ndodh për shkak se kjo (përpjekje për) nën çmim e përbuzje, po u bëhet atyre për të dytën herë.

………………..

Diku mes viteve 90 të shekullit të kaluar, në një shtëpi-kazermë strehimi (hajm) për refugjatët nga Bosnja, në njërën nga dhomat e vogla, punëtorët sollën një shporet elektrik.

Banori, një meso burrë nga Bosnja po vështronte në qetësi. Në fund, punëtorët filluan t’ia japin një “kurs” të shpejtë të përdorimit, ndezjes, fikjes e operacioneve bazë të shporetit.
U dëgjua ofshama e burrit:

– Po, po, e di, faleminderit.

Njëri nga punëtorët insistoi – jo pa përbuzje – “shikoni me kujdes, sepse ju s’keni pasur shporeta elektrikë në vendin tuaj”!

Atëherë, ofshama e burrit u shëndërrua në klithje dhe refugjati boshnjak humbi kontrollin.
Kur u qetësuan pak gjakrat, u kuptua se refugjati i leckosur, ishte inxhinier nga profesioni. Puna e fundit që kishte bërë, ishte Përgjegjës Prodhimi në Fabrikën e Teknikës së Bardhë.

Me çudi, por edhe me keqardhje, punëtorët vendas panë se në shporetin elektrik të importuar ishte emri i fabrikës, ku një kohë, i qetë e i sigurt në ardhmërinë e tij, kishte punuar – dhe udhëhequr madje – inxhinieri, tani refugjati, para tyre.

……………

Mërgimtari lëndohet një herë kur largohet nga vendi i vet. Pastaj, kur ndesh me paragjykimin, stereotipet, nënçmimin, përbuzjen e parë, si i huaj (kinse) pa përvojë, pa orientim, pa profesion, pa kulturë, pa dije, pa manire të sjelljes.

Prandaj ju lus:

Herën tjetër, kur të përpiqeni të nënçmoni e përbuzni një gurbetqar dhe ndeshni në një fytyrë të mërdhezur e të frustruar, mbani mend se kjo është goditja (së paku) e dytë që ai/ajo fatkeq/e po merr.

Kësaj radhe – pasi plaga i ka zënë pak kore -goditja po i vjen nga të vetët, kësaj radhe nga nuk e priste.

Dhe, për këtë arsye, kjo i dhemb më shumë.

Shumë më shumë!

AktivPress