3 vite më parë

Në misionin e vjetër, me vizion të ri!

Në misionin e vjetër, me vizion të ri!

Teoricienët, vite më herët kanë alarmuar se gazetaria të cilën jemi mësuar ta bëjmë ose ta përcjellim deri kah mesi i dhjetëvjetëshit të parë të shekullit të ri është duke e përjetuar “kohën e kolerës”.

Padyshim, shumica prej medieve të fuqishme botërore, me kohë kanë krijuar strategji për t’iu përgjigjur rrethanave të reja, gjithnjë me pretendimin që t’i ruajnë disa standarde bazike të gazetarisë tradicionale.

Mjerisht, tek ne tranzicioni mediatik ka filluar të bëhet në mënyrë paksa më të vrazhdë. Brenda pak vitesh janë  hapur qindra portale/ gazeta online, të cilat nuk janë të regjistruara askund, që nuk dihen as kush i drejton e as kush punon për to, megjithëse, po t’i hapesh mund të shohësh se çfarë interesash mbrojnë, apo çfarë agjendash përpiqen të shtyjnë përpara.

Në këtë kaos mediatik, ideja për ta hapur një gazetë online edhe mund të duket jo fort e qëlluar.  Por, po të shtrohet pyetja nëse në treg ka mjaftueshëm media serioze prej të cilave mund të informohesh drejtë, atëherë përgjigja del negative!

E mira në këtë mes qëndron në atë se Ju lexues, falë teknologjisë, mund të shfrytëzoni përnjëherësh shumë burime të informimit.  Meqë për Ju e rëndësishme është që informata të cilën e merrni të jetë e saktë-  natyrshëm mbeteni në kërkim të vazhdueshëm të medies serioze.

Një adresë alternative për t’u informuar, tash e tutje Ju e keni edhe gazetën Aktivpress.

Në këtë gazetë do të ketë angazhim dhe përkushtim maksimal që juve lexues të respektuar t’u përcillen lajmet jo vetëm në kohë reale por edhe në mënyrë sa më korrekte.

Columbia Journalism Review, qysh para dhjetë vjetësh shkruante se: ”Ata për të cilët kemi nevojë sot, janë gazetarët që dinë t’i lidhin faktet me njëri- tjetrin” .

Këtë lidhje do të përpiqemi ta bëjmë edhe ne në Aktivpress.

Ne jemi të vetëdijshëm edhe për atë që e thotë profesori i gazetarisë, Eric Scherer, se sot nuk mjafton që të japësh lajmet e ditës që janë të njohura për të gjithë, por do të ofrojmë kontekst, perspektivë dhe analizë që të mund t’u hynte në funksion të krijimit të një gjykimi rreth apo mbi atë që po ndodhë në vend e më gjerë.

Por, punën nuk pretendojmë ta bëjmë vet- atë synojmë ta bëjmë bashkërisht. Ne nuk jemi të interesuar që ta përcjellim traditën e gazetarisë autoritare ku “media flet e publiku dëgjon”.

Për ne është tepër i çmueshëm bashkëpunimi me Ju, sepse Ju jeni ata që në të shumtën dini shumë më tepër se ne që përpiqemi t’u mbajmë të informuar. Prandaj, Ju mund të ndihmoni në prodhimin e informacionit duke raportuar për problemet, sukseset, dështimet, nevojat, konfliktet, parregullsitë e për çka jo tjetër.

Aktivpress do t’u ofroj lajme nga politika, ekonomia, kultura, arsimi, sporti, bota e yjeve e teknologjia, pa përjashtuar as informacionet nga e kaluara.

Para së gjithash, Aktivpress do t’ju shërbej edhe si një lloj forumi ku Ju do të mund t’i shkëmbeni idetë dhe do t’i ballafaqoni pikëpamjet mes jush.

Esenciale për ne është që në rrugëtimin e nisur ta fitojmë besimin tuaj.

Këtë mund ta arrijmë shpejtë, nëse ju na jepni shans duke na ndjekur.

Nëse e bëni- nuk do t’u zhgënjejmë!