3 muaj më parë

Në mbrojtje të të drejtave të të moshuarve

Në mbrojtje të të drejtave të të moshuarve

(Me rastin e 1 Tetorit- Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar)

Shkruan: Naim Jerliu

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, në nivel global ka filluar të mbahet qysh 28 vjet më parë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe ndërgjegjësimit për çështjet që prekin të moshuarit dhe poashtu  për të vlerësuar kontributin e të moshuarve në shoqëri dhe për të dëshmuar respektin ndaj tyre.

Në këtë prizm, sivjet shënimi i kësaj dite në nivel global mbahet në shenjë të 70 vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut (DUDNJ) dhe i dedikohet mbrojtjes së të drejtave njerëzore të personave të moshuar duke vlerësuar në veçanti personat që kanë kontribuar në promovimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Prandaj, Dita Ndërkombëtare për të Moshuarit sivjet shënon rëndësinë e kësaj Deklarate dhe riafirmon angazhimin për të promovuar realizimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha të drejtave të njeriut dhe lirive themelore nga personat e moshuar.

Trendi i moshimit të popullatës në nivel global është duke shënuar rritje të vrullshme. Popullata e moshuar në nivel global pritet të rritet prej rreth 900 milionë (më 2015) në rreth 1.4 miliardë (më 2030) dhe 2.1 miliardë (më 2050), kur do të jetë përafërsisht i njëjtë numri i të moshuarve dhe fëmijëve nën 15 vjeç.  Në disa vende të BE-së, të moshuarit tashmë përbëjnë mbi 20% të popullsisë.

Sigurisht që moshimi i popullsisë që vie edhe si rezultat e jetëgjatësisë së rritur konsiderohet një triumf i shoqërisë moderne, i cili pasqyron përmirësimin e shëndetit global, por edhe ngre sfida të veçanta për të gjitha vendet. Prandaj, moshimi konsiderohet një sfidë e madhe për sistemet e mirëqenies sociale dhe shëndetësore edhe të vendeve më të pasura të BE-së.

Edhepse Kosova, konsiderohet si vend me popullatën më të re në Europë, zhvillimet demografike tregojnë se trendi i moshimit është në rritje edhe në vendin tonë. Sipas regjistrimit të fundit në vitin 2011 në Kosovë, gjithsej 6.7 % e popullsisë ishin të moshës mbi 65 vjeç, ndërsa sipas vlerësimeve të Agjencionit të Statistikave të Kosovës më 2017 është llogaritur se tashmë rreth 7.28% e popullsisë janë mbi 65 vjeç.

Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në dhjetor të vitit 2017 ishin gjithsej 122.716 persona që kishin marrë pensionet bazike (prej 75 eurosh), si një e drejtë e garantuar me ligj për personat e moshës mbi 65 vjeç. Me këtë rast duhet kujtuar poashtu se mbështetur në të dhënat nga regjistrimi i vitit 2011 në Kosovë kishte diku rreth 3687 persona mbi 65 vjeç që ishin deklaruar se jetonin të vetmuar, duke mos llogaritur këtu numrin e personave që jetojnë vetëm me bashkëshortin apo bashkëshorten, i cili është shumëfish më i madh.

Gjendja socioekonomike jo e volitshme përcjellur me trendin në rritje të moshimit sigurisht përbën sfidë të veçantë dhe të pashmangshme me të cilën duhet të përballet Kosova. Duke pasur parasysh faktin se personat e moshuar ballafaqohen me gjendje të sëmundshmërisë kronike dhe të varësisë nga të tjerët, ndryshimet e këtilla tregojnë se do të ketë gjithnjë e më shumë persona të moshuar që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor dhe social.

Hulumtimi i IKSHPK me të moshuarit (në vitin 2011) kishte gjetur se pothuajse çdo i dyti i moshuar e perceptonte veten si të varfër, ose shumë të varfër (41% e meshkujve dhe 52% e femrave); mbi 40% e të moshuarve kishin deklaruar se nuk ishin në gjendje për të marrë  kujdesin e nevojshëm mjekësor, prej të cilëve gati 90%  për shkak të kostove të papërballueshme, ndërsa më shumë se katër nga pesë (83%) të moshuar kishin deklaruar  të paktën një sëmundje kronike dhe gati çdo i dyti (45%) kishte ≥2 sëmundje kronike.

Studimet dëshmojnë se karakteristikat socio-ekonomike ndikojnë në gjendjen shëndetësore të individëve, duke vënë në pah lidhjet mes pabarazive socialo-ekonomike dhe të shëndetit të popullatës së moshuar në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Prandaj, përpjekjet dhe angazhimi në përmirësimin e statusit socioekonomik gjithsesi janë në funksion të përmirësimit të gjendjes shëndetësore dhe të krijimit të mundësive që sa më shumë njerëz të kenë jetën aktive dhe të shëndetshme në moshën e shtyrë.

Kjo kërkon investime në një gamë të gjerë të politikave për moshim të shëndetshëm, nga parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo-të transmetueshme përgjatë gjithë jetës deri te forcimi i sistemit shëndetësor e social, në mënyrë që të rritet qasja e personave të moshuar në shërbimet sociale dhe shëndetësore të përballueshme dhe të cilësisë të lartë.

Të gjitha të dhënat tregojnë se njerëzit e moshuar kanë nevojë për përkrahje dhe përkujdesje sociale, ekonomike dhe shëndetësore, përfshirë edhe përkujdesjen shtëpiake, që vë theksin në integrimin e komponentës së strehimit, kujdesit shëndetësor dhe kujdesit social.

Shërbimet përkrahëse për të moshuarit, përfshirë edhe kujdesin shtëpiak, në vende të ndryshme ofrohen nëpërmjet përfshirjes së gjerë të organizatave qeveritare, por edhe atyre private dhe jo fitimprurëse, përderisa në Kosovë përkujdesja shtëpiake ndaj nevojave të të moshuarve ofrohet ende vetëm si kujdes informal, kryesisht nga anëtarë të familjes dhe të afërm.

Ndërkohë, kur flasim për adresimin e nevojave të personave të moshuar duhet pasur parasysh se se edhe shumica e sistemeve shëndetësore në mbarë botën nuk janë mjaftueshëm të përgatitura për të adresuar këto nevoja. Konform këtyre nevojave, sipas rekomandimeve të OBSH-së sistemet duhet të jenë në gjendje të ofrojnë kujdes të integruar dhe me personin e moshuar në qendër, si dhe të përqendrohen në mbajtjen e kapaciteteve përderisa njerëzit moshohen.

Kjo nënkupton se sistemet shëndetësore duhet të rikonfigurohen ndaj nevojave të shtuara dhe komplekse të popullatës së moshuar. Me këtë rast, duhet pasur parasysh se në mënyrë që të rritet qasja e personave të moshuar në shërbimet e nevojshme sociale dhe shëndetësore të përballueshme dhe të cilësisë të lartë, ekziston nevoja për veprim ndërsektoral dhe gjithëshoqëror.

Në kontekstin e nivelit zhvillimor të shoqërisë dhe institucioneve kosovare kjo gjithsesi është e rëndësishme të merret në konsideratë në mënyrë të veçantë. E drejta në shëndet, në kujdes të nevojshëm dhe në moshim të shëndetshëm është e drejtë edhe e qytetarit të Kosovës.

Shpenzimet për kujdesin shëndetësor dhe social për të moshuarit që shpesh me paragjykim shihen si kosto për shoqërinë, përveç mundësimit të një jete të dinjitetshme, duhet të kuptohen si investime që u mundësojnë të moshuarve të vazhdojnë të japin kontributet e tyre të shumta pozitive nëpërmjet një moshimi të shëndetshëm.

Prandaj, përpjekjet që të përmirësohet sa më shumë që të jetë e mundur gjendja e përgjithshme e popullatës së moshuar, kërkojnë vëmendjen dhe fokusin e nevojshëm të menjëhershëm dhe të përhershëm të institucioneve dhe të shoqërisë në Kosovë.

Naim Jerliu është profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës; themelues dhe udhëheqës i Qendrës mbi Moshimin në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK)