“Në llogarinë tuaj janë transferuar 2.1 milionë euro”, kosovarët tallen edhe me avullimin e 2 milionë eurove

1 muaj më parë

“Në llogarinë tuaj janë transferuar 2.1 milionë euro”, kosovarët tallen edhe me avullimin e 2 milionë eurove

Pavarësisht se çka ndodhë në vend, kosovarët gjithmonë e gjejnë një mënyrë që atë ngjarje ta kthejnë në humor. Njëjtë kanë bërë edhe për avullimin e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Pas raportimeve për zhdukjen e këtyre parave, nëpër rrjete sociale, qytetarët kanë filluar të publikojnë një “mesazh” nga banka, kinse paratë e shtetit janë transferuar në llogarinë e tyre.

“Klient i nderuar, ju njoftojmë se në llogarinë tuaj janë transferuar 2.1 milionë euro. Ju faleminderit!”, thuhet në mesazhin që po shpërndahet.

Ndryshe, deri tash për këtë rast është arrestuar një person, derisa dy të tjerë gjenden në arrati.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro.

Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar dje Policia e Kosovës./Express