Në gjykimin e Limajt përmenden emra politikanësh

3 vite më parë

Në gjykimin e Limajt përmenden emra politikanësh

Sadush Rysha ishte dëshmitari i radhës i ftuar në gjykimin ku tashmë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe të tjerët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rysha, i cili aktualisht është menaxher në kompaninë e ndërtimit “Eskavatori” në Ferizaj, u mor në pyetje lidhur me mirëmbajtjen verore të rrugëve rajonale në regjionin e Ferizajt në vitin 2008, pikërisht në kohën kur Limaj ishte ministër i Transportit.

I pyetur nga prokurori Charles Hardaway se a ka ofertuar kompania në fjalë për mirëmbajtjen verore për rajonin e Ferizajt në vitin 2008, Rysha u përgjigj me “po, me siguri që po, se të gjithë marrim pjesë”, duke shtuar se nuk i kujtohet nëse ka fituar apo jo.

Pyetja pasuese e prokurorit kishte të bënte me Bajrush Xhemajlin, i cili në atë kohë kishte qenë kryetar i Komunës së Ferizajt.

“A ka qenë ndonjëherë Bajrush Xhemajli i përfshirë me kompaninë “Eskavatori”?”, tha Hardaway, duke aluduar në atë se a i ka ndihmuar kompanisë lidhur me tenderin në fjalë.

E përgjigjja e dëshmitarit ishte “nuk e besoj që ka ndihmuar, as nuk kam ndonjë informacion”.

Përveç Bajrush Xhemajlit edhe një figurë tjetër politike u përmend përsëri në këtë gjykim.

Bëhet fjalë Adem Salihajn, ish-kryetarin e Ferizajt dhe ish-deputetin e LDK-së.

Lidhur me Salihajn, prokurori pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjëherë lidhje me kompaninë “Burimi”, kompani kjo e cila po ashtu është marrë me asfaltimin e rrugëve.

Dëshmitari u përgjigj se nuk ka njohuri.

Ndërkaq në seancën e kaluar kur kishte dëshmuar Beqir Deda, i cili ishte pjesë e kompanisë “Burimi”, ai kishte mohuar tërësisht atë se Adem Salihaj ka qenë në ndonjë mënyrë i ndërlidhur me këtë kompani./kallxo.com