4 muaj më parë

Në cilën kohë po jetojmë?

Në cilën kohë po jetojmë?

Sot, në Kosovë, afërsisht 60% e popullatës janë të lindur pas vitit 1990. Rreth 50% e popullatës janë të lindur pas luftës (1999).

Deri në moshën 18 vjeçare quhen fëmijë.

Shprehur me fjalë të tjera, si kujtim, si memorie, 50-60% e popullatës së Kosovës, nuk e kanë përjetuar direkt luftën, dhe nuk e mbajnë mend luftën shumë, ose një numër në moshë shumë të re e mbajnë më pak në mend.

E mira është këtu që gradualisht, vit pas viti, po bëhen më shumë popullatë që janë lindur e rritur në liri. Kjo është madhështore në fakt, është mrekulli njeriu me u lind e me u rrit në liri.

Por, të gjithë pa dallim jetojnë pasojat e luftës. Dikush më shumë, e dikush më pak, jetojnë me pasojat direkte të luftës në vet ata/ato dhe në familjet e tyre.

Le të ecim pak nëpër kohë.

Në një krahasim tjetër, është si psh le ta mendojmë relacionin dhe kujtesën, e atyre që janë lindur në vitet 60ta dhe 70ta, në raport me luftën e dytë botërore. Është normale që kjo gjeneratë luftën e dytë botërore e njohin kryesisht vetëm si histori, dhe nuk asocohen direkt me kujtimet personale.

Kjo duhet të na bëjë të mendojmë, që koha po shkon shpejt. 21 vjet pas luftës sot. Gjeneratat e reja çdo ditë e më pak lidhen me historinë e kaluar. Çdo ditë e më shumë lidhen me të ardhmen e jetës së tyre. Kjo nuk nënkupton harrimin e historisë – së paku nuk do të duhej – por ka të bëjë me sjelljen normale njerëzore për t’u orientuar kah e ardhmja, dhe që në esencë ka mbijetesën.

Periudha 30 vjeçare nga viti 1945-1975, është distancë kohore me zhvillime më të ngadalshme.

Koha sot është e shpejtë.

Për shkak të zhvillimeve shumë të shpejta dhe ndryshimeve, periudha 1998-2020 është së paku sa trefishi apo katërfishi i zhvillimeve në periudha vitesh të njëjta të mëhershme të shekullit të kaluar.

Nëse i shtojmë gjithë kësaj, lëvizjet dhe dyndjet e njerëzve në kërkim të jetës më të mirë, situata bëhet më dramatike dhe më urgjente.

Nuk ka kohë për të humbur.

Është përgjegjësi e gjeneratës së tashme t’i ndihmojë gjeneratave që vijnë./AktivPress/