Në Brezovicë po ndërtohet një hidrocentral, ankohen qytetarët

3 muaj më parë

Në Brezovicë po ndërtohet një hidrocentral, ankohen qytetarët

Brezovica është prej qendrave më të njohura në vend, të cilën e vizitojnë shumë njerëz.

E pikërisht në këtë pjesë të vendit, kanë filluar punimet për ndërtimin e një hidrocentrali, raporton KTV.

Ndonëse gjatë ditës nuk pati punëtorë dhe ekskavatorët kanë qenë jashtë funksionit, këtu vërehen ndërhyrjet që u janë bërë rrjedhave të lumenjve.

Për qytetarët, dëmtimi i rrjedhave të lumenjve në këtë pjesë dhe ndërtimi i hidrocentralit vetëm sa e zvogëlon sasinë e ujit të shfrytëzueshëm në këtë pjesë.

Ndërkaq, me ndërtimin e hidrocentralit në Brezovicë, nuk pajtohen as pronarë të bizneseve në këtë zonë.

Kritika për dëmtimin e zonës dhe hapësirave publike kanë edhe turistë nga vende të ndryshme.

Për shqetësimin dhe ankesat e qytetarëve, në një përgjigje me shkrim, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se kanë numër të vogël të rojeve brenda parkut.

‘’Sa i përket parkut të Sharrit si Ministri kemi Drejtorinë e Parqeve brenda së cilës janë angazhuar edhe roja, numri i të cilëve është i vogël dhe ne kemi kërkuar nga Kuvendi i Kosovës miratimin e punësimit edhe të paktën 25 tjerëve, por fatkeqësisht nuk kemi marrë përkrahjen e deputetëve. Po ashtu, si Ministri jemi duke bërë investime në këtë park. Sa i përket ndërtimit të hidrocentraleve në Park, mund të themi se çdo aktivitet i kundërligjshëm që mund të bëhet, ne si Ministri do të intervenojmë sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.

Derisa tutje në këtë njoftim, thuhet se kjo ministri do të dënojë çdo aktivitet të jashtëligjshëm brenda këtyre zonave.