Në Berlin promovohet libri, “Lufta e Kosovës 1999“

2 javë më parë

Në Berlin promovohet libri, “Lufta e Kosovës 1999“

Në mjediset e Universitetit për Shkenca të Aplikuara, “EBC“ në Berlin, u promovua libri “Lufta e Kosovës 1999” i ushtarakut Hans-Peter Krieman.

Ky prezantim u realizua me rastin e shënimit të 20 vjetorit të intervenimit të NATOS dhe 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Mbrëmjen e ka hapur Prof. Dr. Frank Schaal, ndërkaq nënkoloneli Dr. Hans-Peter Krieman, ushtarak i Bundeswerit gjerman, ka mbajtur ligjëratë ku ka shpalosur pjesë të librit dhe ka rekapituluar kohën e luftës.

“Qëllimi i promovimit është zgjimi i vëmendjes tek opinioni dhe mediat gjermane, të cilët 20 vjet pas lufte nuk e kane sa duhet në agjendë çështjen e Kosovës”, ka thënë politologia Vjollca Hajdari. “Libri ishte edhe një shkas për të reflektuar se si ka ndikuar lufta në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në politikën gjermane“.

Hajdari ka theksuar se kohët e fundit ka tendenca për ta paraqitur intervenimin e NATO-s si të gabuar, prandaj kjo ishte edhe arsyeja se “përse duhet të demantojmë këtë qëndrim”.

Krahas negocimeve urgjente të udhëheqësve botërorë, “Lufta e Kosovës 1999” pasqyron ndër të tjera ndarjen në dysh të popullit, por edhe të politikës gjermane. Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte hera e parë që Gjermania në vitin 1999 u fut prapë në ndonjë luftë.

“Përkundër dilemave gjermane, ndërhyrja e NATO-s ishte e domosdoshme, sepse përmes sulmeve u parandalua katastrofa humanitare dhe spastrimi etnik i shqiptarëve në Kosovë“, ka thënë ushtaraku gjerman, Dr.Kriemann, që shfaqi para të pranishmëve foto të luftës dhe u përqendrua në veçanti në Masakrën e Reçakut, duke përmendur jehonën që shkaktoi deklarata e diplomatit amerikan William Walker. Më tej ai shfaqi pamje nga dëbimi i shqiptarëve dhe karvanët e të ikurve, ndër ta gra, pleq e fëmijë.

Ky libër është prezantuar edhe në Potsdam, në praninë e diplomatit Wolfgang Ischinger.