“Në Ballkan luhen çështje më të mëdha se ajo e Kosovës, Evropa në konflikt me SHBA”

3 ditë më parë

“Në Ballkan luhen çështje më të mëdha se ajo e Kosovës, Evropa në konflikt me SHBA”

Në një intervistë për RTV Ora, gazetari Ervis Iljazaj tha se marrëveshja Kosovë-Serbi që u propozua nga Shtëpia e Bardhë, nuk duhej të përfundohej pa u përfillur Bashkimi Europian.

Ervis Iljazaj: ”Çështjen e Kosovës e shoh në këtë mënyrë. Gjykoj që është një çështje e një konflikti më të madh mes Europës dhe Gjermanisë. Pra kemi një pikturë të madhe, çështja e Kosovës është një pikturë e vogël. Përpara 4 apo 5 vitesh, Gjermania bëri atë që u quajt procesi i Berlinit në Ballkan, e cila mori në dorë gjeopolitikën ballkanike. Me ardhjen e Trump në pushtet në SHBA, i gjithë procesi i Berlinit ra, nuk flitet më, sepse u vendos politika amerikane. Nëse ne nxjerrim jashtë kontekstit, raportet konfliktuale midis Gjermanisë, pra Bashkimit Europian, dhe ShBA-ve, flasim kot dhe bëjmë analiza të kota. Në këtë kuptim, marrëveshja që u propozua, e cila u mor në dorëzim nga Shtëpia e Bardhë për tu përfunduar, nuk mund të bëhej pa përfilluar BE-në, e cila e ka deklaruar hapur që është kundra kësaj marrëveshjeje.”

Sipas Iljazajt, në Ballkan luhen çështje më të mëdha se ajo e Kosovës. Ai shprehet se Kosova është gjendur në mes të një pikture të madhe konfliktuale gjeopolitike.

Ervis Iljazaj: ”Kam përshtypjen që në Ballkan luhen gjëra më të mëdha se sa thjesht çështja e Kosovës. Luhen konflikte më të mëdha, qoftë edhe tregtare. Lufta tregtare midis SHBA-ve dhe Kinës, marrëdhëniet ekonomike midis Kinës dhe Europës të cilat kalojnë në Ballkan. Kam përshtypjen se Kosova është gjendur në mes të një pikture të madhe konfliktuale gjeopolitike dhe përbën atë që quhet piktura e vogël. Fati i keq për shqiptarët dhe Kosovës, është që aleatët tradicionalë Europa dhe SHBA-të janë në konflikt. Perëndimi është i ndarë për Kosovën, dhe Kosova gjendet në mes të këtij konflikti.”