Në Bajgorë investohet 189 milionë € për energji me erë, Heldt thotë se ndihmon në tejkalimin e krizës

4 javë më parë

Në Bajgorë investohet 189 milionë € për energji me erë, Heldt thotë se ndihmon në tejkalimin e krizës

Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt kanë vizituar kompaninë “SOWI KOSOVA” në Bajgorë të komunës së Mitrovicës.

Në këtë hapësirë janë do të investohen 189 milionë euro nga kompania kosovaro-gjermano-izraelite SoWi në energji nga era, ku do të prodhohen 105 MW energji nga korriku i vitit 2021.

“Jemi tepër të kënaqur që e shohim një investim kaq madhor edhe sa i përket nivelit të investimeve edhe konsorciumeve që janë bërë bashkë të investitorëve gjermanë dhe izraelitë, financuar nga banka siç është BERZH, Banka Sllovene dhe investitorët të tjerë, në një sektor që është i rëndësisë vërtet strategjike për vendin. 105 megavatë energji elektrike që do të lëshohen në rrjet në vitin e ardhshëm, është një investim shumë i rëndësishëm për vendin”, tha Hoti, transmeton AktivPress.

E rëndësishme, siç potencoi Hoti, është fakti se janë investitorë me emër evropian dhe botëror dhe se ky është një sinjal shumë i fuqishëm që Kosova është një destinacion i sigurt për investime dhe se prezenca këtu bashkë me ministrin dhe ambasadorin është tregues për kompaninë dhe investitorin se do ta kenë mbështetjen e qeverisë, për të lehtësuar të gjitha procedurat, në mënyrë që investimi të jetë i suksesshëm.

Hoti tha se ndihet i impresionuar me statistikat që u prezantuan, që shpejtësia e erës është më e madhe, rreth 9 metra në sekondë, që është më e madhe se në shumë vende të Gjermanisë, që e bën këtë projekt shumë fizibël për prodhimin e energjisë.

Në fund, kryeministri Hoti u uroi suksese, duke shtuar se pret që në prill të vitit të ardhshëm të jenë këtu bashkë dhe të presin shiritin e këtij projekti shumë të rëndësishëm.

Ky projekt i energjisë së erës, i cilësuar me standarde të larta pozitive dhe miqësore me ambientin, synon kapacitetin e përgjithshëm prodhues prej 105 megavatesh. Kjo energji do të distribuohet në Vushtrri përmes linjës së transmisionit 110 kV të gjatë 19 kilometra, që gjithashtu është pjesë e investimit të projektit dhe do t’i transferohet KOSTT-it. Projekti përbëhet nga 27 turbina të erës me kapacitet të përgjithshëm prej 105 megavatesh. Në realizimin e tij janë përfshirë edhe Notus Energy, General Elektrik dhe BERZH.

Ky projekt është paraparë që të përfundojë deri në prill të viti 2021 dhe do të ketë jetëgjatësinë së paku 25 vjet. Në realizimin e këtij projekti do të angazhohet fuqi punëtore dhe do të ndikojë në zbutjen e papunësisë. Kosova po synon objektivin e prodhimit të energjisë së erës në kapacitetin e 25 për qind të prodhimit të përgjithshëm./EO/AktivPress/