Ndihma për njëri-tjetrin për të krijuar vende të punës dhe punësim të qëndrueshëm

1 muaj më parë

Ndihma për njëri-tjetrin për të krijuar vende të punës dhe punësim të qëndrueshëm

Bujar Ibrahimi nga Obiliqi nuk e kishte ndërmend ti linte ëndrrat për të pasur biznesin e tij, të shuheshin. Çdo ditë, ai zgjohej me idenë për të filluar diçka më vete, dhe plani i tij ishte të kishte sallon berberi.

Pavarësisht nga sfidat, para se të largohej dhe pasi u riatdhesua në Kosovë, Bujari më në fund arriti të hapte një biznes të tij, një ambient komod ku njerëzit vijnë jo vetëm për të marrë shërbime, por edhe për një bisedë apo për të ndarë historitë e tyre të përditshme të jetës.

E tëra u bë e mundur vetëm nga një dorë ndihme që ai mori në 2018,nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, përmes ALMP2, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale(MPMS)–Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), shkruan AktivPress.

Salloni i Bujarit është gjithashtu një vend i kujtimeve të miqësisë së mirë, dhe momenteve që ai i gëzoi në jetë. Ju mund të shihni copëza kujtimesh të vëna në një kornizë sapo të hyni në dyqan. Ai thotë se ato e motivojnë që të punojë më shumë dhe të përpiqet më shumë.

Që nga ajo kohë, Bujari jo vetëm që po drejton me sukses biznesin e tij të vogël “Babyliss”, por ai po i shtrinë dorën e ndihmës njerëzve të tjerë në nevojë.

“Unë isha ambicioz dhe optimist dhe ia arrita. Tani dua të ndihmoj të tjerët, veçanërisht të rinjtë, për t’i dhënë atyre një shans për të punuar në biznesin tim dhe të përmbushin ëndrrat e tyre, ashtu si unë “, thotë Bujari.

Samed Shabani, 19 vjeç, është një nga këta të rinj. Deri vonë, ai ishte i papunë, por ishte regjistruar në Zyrën e Punësimit dhe Bujari i mundësoi atij një vend pune. Samed është përfitues i Programit të Subvencionimit të Pagave 2020, të UNDP/ALMP2 në bashkëpunim me MPMS / APRK dhe në bashkëpunim me punëdhënësin Bujar Ibrahimi.
Klientë që vijnë për shërbime dëshirojnë që Samedi të jetë aty. Ata jo vetëm që janë të kënaqur me shërbimin, por motivi i Samedit për punë dhe pamja e tij pozitive e optimiste i bënë ata të ndihen të mirëpritur çdo herë.

“Unë jetoj me prindërit e mi dhe jam i vetmi i punësuar në familjen time. Më përpara u prisja flokët prindërve të mi në shtëpi. Duke pasur një punë, tani mund t’i bëj të dyja, t’u pres flokët dhe t’u siguroj atyre ushqim dhe kushte më të mira jetese. Më e rëndësishmja, unë e dua atë që bëj dhe shpresoj të mësoj shumë më tepër. ”

Bujar Ibrahimi nuk ia hapi derën vetëm Samedit. Dera e tij do të mbetet e hapur për çdo punëkërkues të regjistruar në komunën e tij, të interesuar të ndjekin trajnim apo të kenë një vend pune të denjë. Siç thotë shpesh: “Unë dua të ndaj vendin tim të punës me njerëz të tjerë ambiciozë. Së bashku, ne mund të arrijmë shumë ”.

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, si një përgjigje e menjëhershme, UNDP ka rritur mbështetjen e saj për punëkërkuesit në Kosovë, duke krijuar më shumë mundësi drejt punësimit të qëndrueshëm dhe gjithashtu duke ndihmuar institucionet e punësimit përmes disa donacioneve të artikujve mbrojtës dhe artikujve të tjerë për stafin e tyre, ndërsa ofrojnë shërbime punësimi./AKTIV PRESS/