Ndeshja e futbollit në Brazil pezullohet pak para fillimit shkaku i pandemisë

2 muaj më parë

Ndeshja e futbollit në Brazil pezullohet pak para fillimit shkaku i pandemisë

Një nga ndeshjet hapëse të stinorit 2020 të ligës së futbollit në Brazil është pezulluar pak para fillimit të dielën, pasi që dhjetë lojtarë të klubit Goias rezultuan pozitivë me COVID-19, shkruan agjencia Reuters.

“Ndeshja është shtyrë”, ka thënë presidenti i Goiasit, Marcelo Almeida. “Nuk ka qenë në interesim të asnjërit që ndeshja të luhej”.

Lojtarët nga Sao Paulo, që udhëtuan 900 kilometra për në qytetin Goiana, ishin në fushë duke bërë nxemjet kur u mor vendimi për t’u shtyrë ndeshja.

Sao Paulo ka thënë se përkrah vendimin.

Goias ka njoftuar se një laborator i aprovuar nga Konfederata e Futbollit të Brazilit ka testuar lojtarët të premten, pasi rezultatet e testeve të bëra të enjten nuk ishin në rregull. Klubi ka njoftuar se dhjetë persona, përfshirë tetë lojtarë nga skuadra e parë, kanë rezultuar pozitivë kur dolën rezultatet të dielën.

Pezullimi i momentit të fundit i ndeshjes ishte një goditje e radhës në futbollin brazilian. Tri nga 10 ndeshjet e xhiros së parë janë shtyrë për shkak të ngarkesës së orarit për shkak të fundit të ligave shtetërore.

Stinori i futbollit të Brazilit është i ndarë në dysh, ku fillimisht luhen ligat shtetërore para se të vazhdohet me ligën nacionale.

Më herët të dielën, një nga tri ndeshjet e para të kategorisë së tretë të Brazilit është pezulluar pasi që 12 lojtarë të Imperatrizit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.