Ndërtimi i një rruge as një kilometërshe në Prishtinë zgjati rreth dy vjet

3 javë më parë

Ndërtimi i një rruge as një kilometërshe në Prishtinë zgjati rreth dy vjet

Për një rrugë gjatësia e së cilës nuk i kalon as një kilometër, qytetarët e Prishtinës është dashur të presin rreth dy vjet. Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugës Richard Holbrooke, e cila sipas planit dinamik të komunës së Prishtinës ishte paraparë të kryhej brenda 240 ditëve, por së në realitet është përfunduar pas 709 ditëve kalendarike, shkruan Gazeta Infokus.

Kjo zvarritje e punimeve është evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Periudha e stërzgjatur kohore e punimeve (sipas raportit përmbledhës të menaxherit të kontratës) ishte shkaktuar nga ndërprerja e punimeve gjatë stinës së dimrit të viteve 2017 dhe 2018 për 244 ditë, ditëve të vikendit dhe ditëve të festës (125 ditë), kushteve atmosferike (57 ditë) dhe për shkak të kontesteve pronësore (25 ditë)”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në këtë raport thuhet gjithashtu se për 21 ditë punimet ishin ndërprerë për shkak se ishte dashur të nxirret një vendim i ri për caktimin e menaxherit të kontratës.

Përveç këtyre, gjendja në terren kishte imponuar devijim nga projekti kryesor në disa pozicione të cilat, edhe pse nuk kishin shkaktuar ndryshim thelbësor të projektit e as në tejkalim të vlerës së kontratës, kishin rezultuar me vonesa në realizim të projektit.

Punët shtesë të cilat nuk ishin paraparë me kontratë janë: mure mbrojtëse; trotuare, zhvendosja e trafos që nuk ishte paraparë as në planin dinamik e as në projekt, demolimi i objekteve që kishin uzurpuar pronën publike (as këto nuk ishin paraparë në planin dinamik e as në projekt), dhe negocimi me banorët që kishin pretendime pronësore për trasenë kah kalonte rruga e projektuar.

Për projektin e ndërtimit të rrugës Richard Holbrooke, Komuna e Prishtinës kishte parashikuar se vlera e kontratës do të arrinte 980,000 euro, ndërsa çmimi i kontratës ishte 469,930 euro, që do të thotë se kishte parashikim jo të saktë pra, dyfishin e fondeve të nevojshme për këtë rrugë./Gazeta Infokus/