Ndërron jetë veterani i UÇK-së Qazim Zeka

1 javë më parë

Ndërron jetë veterani i UÇK-së Qazim Zeka

Ka ndërruar jetë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Qazim Zeka. Lajmin është dhënë nga ish-eprori i UÇK-së, Ferat Shala, nëpërmjet rrjetit social Facebook, shkruan AktivPress.

Shala ka përkujtuar se Qazimi tërë jetën dhe veprimtarinë e tij ia ka kushtuar çështjes kombëtare dhe ishte atdhetar dhe veprimtar i dalluar.

Për shkak të aktiviteteve të tij patriotike ishte i dënuar me burg nga regjimi serbo sllav si i burgosur politik.

“Qazimi u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si ushtarë i orëve të para dhe dha kontribut në themelimin dhe organizimin e njësiteve të para të UÇK-së. Pjesën më të madhe të luftës e kaloj në regjionin e Drenicës dhe ishte pjesëmarrës i shumë betejave që u zhvilluan në këtë zonë”, ka shkruar Shala.

Gjatë luftimeve dhe qëndresës së palëkundur në betejën në Malet e Kosmaqit, Qazimi ishte plagosur rëndë.

Shala thotë se ai ishte shembull i luftëtarit të pakompromis dhe besonte gjithmonë në fitore.

“Në mendjen tonë do të kujtohet përherë për idealizmin fanatik, optimizmin dhe vullnetin që i jepte të tjerëve si dhe për urtësinë dhe dinjitetin e një luftëtari të palodhur. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të cilin ishe i gatshëm të jepje edhe jetën. Gjithmonë do të mbetesh në zemrat dhe mendjet tona”, ka shkruar Shala./AktivPress/