Ndërron jetë regjisori i mirënjohur Gjergj Xhuvani

2 muaj më parë

Ndërron jetë regjisori i mirënjohur Gjergj Xhuvani

Pas një sëmundjeje të rëndë, ndahet nga jeta regjisori i mirënjohur Gjergj Xhuvani. Mësohet se Xhuvani ndërroi jetë të mërkurën në një spital në Romë. Regjisori dhe producenti i mirënjohur ishte 56 vjeç dhe do të kujtohet si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë dhe skenës shqiptare.

Disa nga titujt më të spikatur të filmave të tij janë “Lindje Perëndim lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat”, “Bardhë e Zi” etj.

Gjergj Xhuvani lindi në vitin 1963 në Tiranë dhe në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve, në Tiranë, dega Artet dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, punoi si asistent regjisor në shumë filma, ndërsa në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Përvecse ishte pjesë e kategorisë Director’s Fortnight me filmin “Parrullat” në Festivalin e Kanës si i pari shqiptar, Xhuvani paraqiti të njëjtin film si kandidaturë në edicionin e 74 të Academy Award, si filmi më i mirë në gjuhë të huaj, por nuk u pranua.

Po ashtu edhe filmi “Lindje Perëndim Lindje”, nuk mundi të kalonte listën e shkurtër të janarit për edicionin e 83 të OSCARS. Xhuvani kishte kohë që vuante pasojat e një sëmundjeje të gjatë, por që gjithsesi nuk i është ndarë sheshxhirimit.

Këtë vit pritej të dilte edhe premiera e filmit të tij më të fundit “Liqeni im” i xhiruar kryesisht në Prespë, pasi ai i ishte rikthyer punës për filmin vitin e shkuar.

Gjergj Xhuvani ishte bashkëshort i aktores së njohur Luiza Xhuvani./TCh