Ndërpritet greva në “Trepçë”

4 javë më parë

Ndërpritet greva në “Trepçë”

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” e kanë ndërprerë grevën.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Rifllimin e punës, e ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, edhe Ardian Syla, kryesues i Bordit Mbikqyrës të Trepçës.

“Pas negociatave të të gjitha palëve në ndërmarrjen Trepça; Bordit, Menaxhmentit, Sindikatës si dhe punëtorëve, ka rifilluar puna në minierën e Stantërgut pas një ndërprerje dy ditore”, ka shkruar ai.

Sipas tij, pagat për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë.

Të hënën, Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmjarrjeje tha se vendimi për grevë ka ardhur si pasojë e mosmarrjes së pagës së tetorit dhe kushteve jo të mira të punës.

Minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça”, thonë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare, edhe si shkak i mosmenaxhimit të duhur.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.