Nderim i vonë – Helga Schubert fiton Çmimin Bachmann

2 muaj më parë

Nderim i vonë – Helga Schubert fiton Çmimin Bachmann

Shkrimtarja e lindur në Berlin, Helga Schubert është fituesja e Çmimit Bachmann, një nga çmimet letrare më të rëndësishme për letërsinë në gjuhën gjermane. 80-vjeçarja doli fitimtare ndaj 13 kandidatëve të tjerë me një tekst për një marrëdhënie të vështirë nënë-bijë. Çmimi shoqërohet me 25.000 euro.

Teksti i Schubert “Të ngrihesh në këmbë” e bindi jurinë. Në të ajo përshkruan përvojat jetësore të një vajze me nënën e saj, tek e cila kishte lënë gjurmë lufta. Schubert vetë lindi në 1940, i ati vdiq një vit më vonë si ushtar.

“Jashtëzakonisht e lumtur”

Schuberti u shpreh e emocionuar lidhur me çmimin. “Jam në mënyrë të papërfytyrueshme e lumtur”. Që konkursi këtë herë u zhvillua në mënyrë virtuale, kishte qenë një fat për të. Kështu mundi të qëndrojë në shtëpi dhe të kujdeset për të shoqin. “Isha mirënjohëse që mund të isha e pranishme në këtë mënyrë,” tha ajo.

Ajo shpjegoi se teksti i saj ishte një homazh për shkrimtaren Ingeborg Bachmann, për nder të së cilës u dha çmimi. Fillimisht e kish quajtur tekstin “Viti i 80-të”, bazuar në ciklin e tregimeve të Bachmann-it “Viti i tridhjetë”. Por ajo nuk kishte dashur t’i bënte lajka jurisë. Kjo kishte qenë arsyeja pse kishte marrë fjalinë e fundit të librit i Bachmann-it (“Ngrihu, nuk ke thyer asnjë kockë”) dhe e bëri atë titull “Të ngrihesh në këmbë”.

40 vjet pas ftesës së parë

Pas fjalës së Schubertit, kryetari i jurisë Hubert Winkels foli për një material prekës, që ishte endur me finesë. Teksti përcjell empati dhe ngrohtësi, tha anëtarja e jurisë Insa Wilke. “Unë ju dua”, i tha Schubertit përmes videos anëtari i jurisë dhe shkrimtari zviceran Philipp Tingler.

Schubert ka diplomë për psikologji dhe ka qenëw që në vitin 1975 anëtare e shoqatës së shkrimtarëve. Deri në vitin 2008 ajo jetonte me të shoqin në Berlin, më pas u zhvendos në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore me burrin e saj, psikologun, piktorin dhe shkrimtarin Johannes Helm.

Triumfi në Klagenfurt erdhi 40 vjet pas ftesës së saj të parë për të marrë pjesë në konkurs. Në vitin 1980, Schuberti, e cila jetonte në RDGJ, nuk mori leje-daljeje nga institucionet kulturore të RDGJ. Nga viti 1987 deri në 1990 ajo ishte anëtare e jurisë./DW/