Ndërhyrja ushtarake në Siri: Gjermania “spektatore”

3 vite më parë

Ndërhyrja ushtarake në Siri: Gjermania “spektatore”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se vendi i saj nuk do të marrë pjesë në ndonjë operacion të mundshëm ushtarak në Siri.

Në një konferencë për shtyp pas takimit të zhvilluar në Berlin me kryeministrin e Danimarkës, Lars Lökke Rasmussen, Merkel theksoi se janë kundër përdorimit të çdo arme kimike.

“Deri më tani nuk ka ndonjë vendim, por dëshiroj të theksoj se Gjermania nuk do të marrë pjesë në një operacion të mundshëm ushtarak në Siri, por do të tregojë çdo përpjekje tjetër për të dhënë sinjalin se përdorimi i armëve kimike nuk mund të lejohet”, tha Merkel.

Gjithashtu, ajo ka theksuar se duhet të mendohet çdo masë kundër regjimit të Asadit, gjë e cila për Gjermaninë do të thotë se duhet të mbështeten punimet në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, transmeton TCH.

“Kemi luajtur rol të rëndësishëm edhe në asgjësimin e armëve kimike në Siri. Por, tani vërejmë se asgjësimi i këtyre nuk është realizuar plotësisht. Tani të gjitha masat duhet të merren në konsideratë. Në aspektin e Gjermanisë kjo do të thotë se ne do të mbështesim të gjitha aktivitetet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, u shpreh kancelarja e Gjermanisë.

Merkel ka deklaruar se me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka biseduar për çështjen e Sirisë dhe se ata do të qëndrojnë në kontakt për këtë çështje.