NASA publikon pamjet e ekuipazhit të Apollo 13 mbi Hënë përpara se të abortonin misionin e tyre në 1970

3 muaj më parë

NASA publikon pamjet e ekuipazhit të Apollo 13 mbi Hënë përpara se të abortonin misionin e tyre në 1970

Në prill 1970, anija e hapësirës Apollo 13 do të ulej në hënë në mënyrë që astronautët e Nasës, Xhim Lovell, Xhek Suajgërt dhe Fred Heiz të eksploronin sipërfaqen e saj. Por një shpërthim në anije gjatë udhëtimit e bëri të pamundur misionin e tyre. Tmerri i tyre që zgjati një javë u ndoq nga e gjithë bota. Tani, Nasa dhe Adler Planetarium në Çikago shënojnë 50-vjetorin e një ngjarjeje që shumë njerëz e quajnë një dështim të suksesshëm.

Edhe pse ekuipazhit iu desh të braktiste misionin ata realizuan njw video duke kapur një pamje mahnitëse të sipërfaqes hënore.


Në prill 1970, njeriu kishte qenë në Hënë dhe interesi i publikut për programet e hapësirës kishte filluar të binte. Misioni i Apollo 13 do të ishte ulja e tretë në Hënë. Megjithatë, shumë media e injoruan atë fillimisht.

“Entuziazmi për fluturimet në hënë ka rënë shumë,” tha në atë kohë Xhim Lovell i cili u vu në krye të misionit të Apollo 13, së bashku me astronautët Fred Hejz dhe Xhek Suajgërt. Ai priste të realizonte ëndrrën e tij për t’u ulur në Hënë.

Por ëndrra u shua dy ditë pas fillimit të misionit. Një shpërthim dëmtoi anijen pak pasi ekuipazhi përfundoi një transmetin të drejtpërdrejtë televiziv.

“Pas atij shpërthimi askush nuk e dinte çfarë do të ndodhte. A mund të ktheheshin?”

Ndërkohë që e gjithë bota shikonte se ç’po ndodh, kontrollorët e fluturimeve të Nasës dhe astronautët punonin pa pushim për të gjetur një mënyrë që ta kthenin ekuipazhin në Tokë.

Për pesë ditë me radhë, një krizë pas një tjetre, ekuipazhi i Apollo 13 dhe specialistët e misionit në tokë punuan për të zgjidhur problemin.

Astronautët mbijetuan duke racionuar ushqimin dhe ujin ndërkohë që përdornin pjesën e anijes që do të ulej në hënë si strehim para se të përgatiteshin për t’u kthyer në tokë.

Përpjekjet e tyre përfunduan më rënien në Oqeanin Paqësor. Të tre astronautët arritën të shpëtonin dhe Apollo 13 filloi të njihej si një dështim me sukses.

“Ishte dështim për sa i përket misionit fillestar, po sukses sepse ne u përballëm me një problem të papritur për të cilin nuk ishim të përgatitur, megjithatë arritëm t’ia dilnim mbanë.”

Ngjarja u pasqyrua në filmin e vitit 1995 “Apollo 13”. Tom Henks luan rolin e astronautit Xhim Lovell.

Lovell nuk u kthye asnjëherë në Hënë dhe nuk arriti të ulej atje, megjithatë filmi e bëri atë të famshëm.

/oranews/