Nagavci: Jemi të interesuar të gjejmë një kandidat konsensual për president

1 muaj më parë

Nagavci: Jemi të interesuar të gjejmë një kandidat konsensual për president

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke folur për koalicionin e mundshëm me LDK-në, ka thënë se barrikadimet e kushtëzimet nuk ofrojnë mundësi të bashkëpunimit mes dy partive.

Përmes një statusi në Facebook, Nagavci ka shkruar se me LDK-në mund të flasin edhe për presidentin, duke shtuar se janë të interesuar të gjejnë një kandidat/e të denjë e konsensuale që paraqet unitetin e popullit ashtu siç e kërkon kushtetuta.

“Andaj pasi të jemi dakorduar plotësisht për qeverisjen, mund të angazhohemi seriozisht për pozitën e të parit apo të parës së vendit”, ka shkruar ajo.

Ajo thotë se data 26 dhjetor është dita kur duhet të konstituohen institucionet e vendit. Jo vetëm Kuvendi, por paraprakisht të jetë arritur dhe marrëveshja për bashkëqeverisje në mes të LVV-së dhe LDK- së.

“Si fitues të zgjedhjeve dhe si partia e parë në vend jemi të angazhuar e përkushtuar të arrimë marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në, të marrim përsipër përgjegjësitë që na janë besuar dhe të fillojmë punën e cila do të jetë e shumtë e jo e lehtë”, ka shkruar ajo.

Nagavci thotë se duke ditur sfidat që i presin, është tejet i rëndësishme mirëbesimi paraprak e përkushtimi për të qeverisur me profesionalizëm, dinjitet e transparencë. E sipas saj, kjo arrihet duke respektuar partnerin, duke bërë propozime, duke gjetur pikat që i ofrojnë e duke hapur mundësitë e bashkëpunimit.

“Kushtëzimet e barikadimet janë e kundërta e këtyre më sipër, andaj dhe duhet të shmangen”, thotë ajo.

Sipas saj, qeveria Kurti do të sjell ndryshimet që i presin qytetarët, do të filloj një etapë të re për vendin, andaj duhet angazhim i të gjithëve që puna të filloj sa më parë.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çdo temë me interes për ne, për vendin e për partnerin qeverisës, sigurisht në kuadër të kompetencave ligjore, vlerave e principeve demokratike dhe brenda përgjegjësive kushtetuese”, ka thënë ajo.

Nagavci thotë se LVV duke qenë gjithnjë konsekuente në qëndrimet e saj, ka mbrojtur ato me argumente.

“Kështu, në interes të arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me LDK-në, jemi pajtuar që të propozojmë për kryesues/e të Kuvendit një kandidat/e të LDK-së, ndonëse kjo e drejtë na takon neve si fitues të zgjedhjeve, dhe jemi pajtuar të ndajmë përgjegjësitë udhëheqëse ministrore në mënyrë të barabartë. Me mirëkuptim, me seriozitet e dashuri për vendit, ndryshe duhet të kthehemi dhe një herë tek sovrani”, ka shkruar tutje ajo.