“Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”

2 javë më parë

“Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”

“Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” quhet ekspozita që u hap në fund të majit në Prishtinë dhe ka për qëllim përkujtimin e 1024 fëmijëve të vrarë në Kosovë në vitet 1998-2000.

Ekspozita u organizua nga Qendra Humanitare dhe u hap me fjalën e Enver Duriqit, një veteran i UCK-së, i cili bashkë me gruan dhe prindërit humbi edhe katër fëmijë, të gjithë të vrarë më 28 mars 1999, kur familja la rrethinat për një strehë më të sigurt në qytetin e Podujevës.

“Vrasja ndodhi në qendër të Podujevës,” tha Duriqi mes lotëve, teksa tregoi se më i maddhi i dy djemve dhe dy vajzave të tij ishte 9 vjeç ndërsa më i vogli 21 muajsh.

Duriqi e mbylli fjalën duke shprehur zhgënjimin e tij me instituconet e Kosovës që nuk kanë arritur të japin drejtësi për krimet e luftës forcat serbe, bën me dije Dita duke cituar mediat kosovare.

Objektet personale të fëmijëve Duriqi e shumë të tjerëve, si libra, fletore, dëftesa, këpucë, rroba, çanta shkolle, lodra janë ekspozuar për vizitorët përkrah historive të jetëve të tyre të shkurtra.

Numri i fëmijëve të vrarë gjatë luftës së Kosovës është rreth 10% e numrit total të viktimave, mbi 10,000. Përveç tyre ka edhe 109 fëmijë të deklaruar të humbur, ndërsa numri total i të humburve është 1600.

Merjeme Kelmendi është një tjetër nënë që ka humbur fëmijët në luftë, dy djemtë e saj 10 dhe 12 vjeçarë. Teksa tregon një batanije të ekspozuar, thotë që ajo është batanija me të cilën kishte mbuluar fëmijët e saj.

“Sikur ata plumba të më kishin kapur mua dhe jo fëmijët e mi…”, thotë ajo, gjithashtu e zhgënjyer nga interesimi i munguar i institucioneve kosovare për të dënuar krimet e luftës.

E parë si një përtëritje shprese për drejtësi, ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në maj të vitit 2020. Ajo ndodhet në biblotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë.

Hapja e kësaj ekspozite kishte për qëllim edhe sensibilizimin e opinionit publik mbarë botëror në lidhje me krimet e luftës në Kosovë. Ky qëllim duket se është përmbushur teksa hapja e kësaj ekspozite ka zënë vend edhe në mediat botërore.