MZHE-ja nuk u ofron qasje në dokumentet e “Kosovës së Re”

3 muaj më parë

MZHE-ja nuk u ofron qasje në dokumentet e “Kosovës së Re”

Katër organizatat e shoqërisë civile nuk mund të kenë ende qasje në disa nga dokumentet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”, ndonëse në favor të kërkesës së tyre ka vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës. Është Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ajo që ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ndaj këtij vendimi të Themelores. MZHE-ja ka njoftuar se ankesa është bërë më 20 maj dhe deri në vendimin përfundimtar të shkallës së dytë, do të qëndrojë prapa komunikimeve paraprake.

Menaxheri i projektit “Kosova e Re”, Shkumbin Asllani, ka thënë se që nga fillimi i procesit për ndërtimin e termocentralit të ri, MZHE-ja ka pranuar kërkesa për qasje në dokumente publike, të cilat, sipas tij janë trajtuar dhe vendosur “në mënyrë meritore në dritën e legjislacionit në fuqi”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik në përputhje me këshillën juridike përmes Avokaturës Shtetërore, më 20 maj 2019, ka ushtruar ankesë në aktgjykimin nr.318/17 të datës 10 prill 2019, rrjedhimisht, deri në një vendim përfundimtar gjyqësor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik qëndron prapa komunikimeve paraprake”, ka thënë Asllani.

“Puna e Njësisë për Implementimin e Projektit TC ‘Kosova e Re’, gjegjësisht e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, bazohet mbi parimin e transparencës dhe mbi këtë parim – çdo dokument duke përfshirë marrëveshjet komerciale për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ janë publike dhe të qasshme për çdo palë të interesuar”.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesëpadinë e organizatave Ballkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kundër Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për moslejimin e qasjes në dokumente zyrtare për termocentralin “Kosova e Re”.

Kjo gjykatë ka obliguar MZHE-në që të lejojë qasjen në dokumentet e kërkuara. Për këtë, të hënën, katër organizatat joqeveritare kanë dërguar edhe një herë kërkesën për qasje në dokumente zyrtare.