Mustafa apo Rama e shtyu mbledhjen e përbashkët të Qeverive

4 vite më parë

Mustafa apo Rama e shtyu mbledhjen e përbashkët të Qeverive

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ishte paraparë të mbahet sot (e hënë), por që për arsye të padefinuara qartë u shtye për një tjetër datë.

Fillimisht u deklarua se mbledhja e katërt me radhë e të dy qeverive shqiptare u shtye për shkak të moszbatimit të marrëveshjevetë hartuara në mbledhjet e kaluara, por tashmë burime të Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se takimi ndërmjet tyre është shtyrë për shkak të agjendës së ngjeshur të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, shkruan AktivPress.

Zyrtarë nga kabineti i kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme për gazetën “Epoka e re” kanë deklaruar se mbledhja e qeverive është shtyrë për shkak të vizitës në Bruksel që do të mbajë këtë javë kryeministri Mustafa.
Sipas tyre, kjo është e vetmja arsye e shtyrjes së kësaj mbledhje të përbashkët, e jo për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve.

“Ministria e Punëve të Jashtme është duke e koordinuar këtë çështje. Unë e di se kryeministri do të udhëtojë jashtë vendit këtë javë, kështu që praktikisht nuk mund të mbahet mbledhja e përbashkët me datën e paraparë. Se kur është ri-aranzhuar data e përshtatshme për këtë mbledhje duhet të flasë MPJ-ja”, ka thënë Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa. Por, një burim brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme ka thënë se kryeministri tash duhet ta propozojë një datë tjetër. Sipas këtij burimi, ministritë e jashtme të të dyja vendeve vetëm e koordinojnë agjendën.

Në anën tjetër njohës të çështjeve politike në vend, thonë se shkaktar për shtyrje të mbledhjes është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkruan AktivPress. Profesori univeristar, Milazim Krasniqi ka deklaruar se vetë këtë vendim e ka marrë kryeministri Rama me deklaratën e tij kinse për bashkim kombëtar, gjë që sipas tij ka çuar në shtyrjen e takimit dhe pikët shtesë për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Edi Rama e ka minuar vetë mbledhjen e dy qeverive, me deklaratën e tij gjoja për bashkim kombëtar. Dhe ia ka dhënë një kartë të fortë mikut të vet, Vuçiqit, në luftën e tij me opozitën serbe dhe për të fituar, si president i posazgjedhur, disa poena shtesë në sytë e Perëndimit, gjoja me maturinë e tij!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas tij deklaratat e fundit të politikanëve shqiptarë janë kot dhe se janë në dëm të të dy shteteve. “Pse mendoj kështu? Sepse as Rama, mësa pararendësit e tij, nuk ka as ide, as platformë e aq më pak projekt për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Ka veç llafe kot, siç i kishte edhe Berisha para tij. Dhe siç i kanë të gjithë demagogët e pafytyrë në të gjitha viset shqiptare! Llafe kot kanë, punë aspak. Por, me këso llafesh pa mbulesë, po u bëjnë dëm këtyre dy shteteve të lodhta, që mezi po mbahen në këmbë. Kuku për ne, kush flet/manipulon në emrin tonë! Ama mirë na e bëjnë, meqë i votojmë njerëzit që janë në kundërshti me besimin dhe me idealin tonë!”, ka shtuar më tej njohësi i çështjeve politike.

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ishte paraparë që të mbahej në qytetin e Vlorës. Kjo ditë ishte bërë e ditur nga ministrat e jashtë të të dy vendeve, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe homologu i tij Enver Hoxhaj. Ministri i punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj u shpreh se kishte propozuar një metodologji të re, sipas së cilës duhet të identifikoheshin disa çështje konkrete, për të cilat palët të diskutonin për mënyrën se si do të duheshin zgjidhur apo çuar përpara. Mbledhja paraprake e udhëheqësive shqiptare ishte mbajtur në vitin 2016 në Prishtinë, ndërsa e para e këtij lloji ishte mbajtur më 2014-n në Tiranë, kur edhe u firmos marrëveshja e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës./AktivPress