Musliu-Kurtit: Marre, vendimin për mërgimtarët është dashur ta marrësh kur u bëre kryeministër, jo kur po e lë këtë post

1 muaj më parë

Musliu-Kurtit: Marre, vendimin për mërgimtarët është dashur ta marrësh kur u bëre kryeministër, jo kur po e lë këtë post

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e mbrëmshëm rreth marrjes përsipër të mbulimit të kostos së polisave kufitare për diasporën.

Sipas saj, Kurti dhe Qeveria e tij po luajnë me ndjenjat e mërgimtarëve kosovarë.

“Albin Kurti marre te koftë, këtë vendim është dashtë me e marre ditën kur e ke marre postin e Kryeministrit. Diaspora jone nuk është aq naive sa mos me e kuptu lojën tende me ndjenjat e tyre duke marre gjoja vendime te rëndësishme për ta ditën kur ti e dorëzon qeverinë.

Ata me mire se çdo kush tjetër e kuptojnë peshën dhe rëndësinë qe kane vendimet tua sot kur vetëm njërën këmbe e ke ne Qeveri. Ti po i bene fyerjen ma te madhe qe mund t’i beje dikush diasporës tone. MARRE”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, zëvendësministrja në detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, përmes një postimi të bërë në Facebook ka thënë se qeveria në detyrë e Kosovës, në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej rreth 1.26 miliardë euro, të cilën e ka prezantuar Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka planifikuar që të marrë përsipër mbulimin e kostos së polisave kufitare apo siç njihen si “Karton i Gjelbërt”, për automjetet që hyjnë në Kosovë për vitin 2020.

“Shumë shpesh është premtuar zgjidhja për “Kartonin e Gjelbërt”, por asnjëherë nuk kemi parë hapa konkret për zgjidhjen e këtij problemi që prek më së shumti #diasporën tonë. Jam e lumtur që për herë të parë, në vetëm disa javë përgatitje, si qeveri e Kosovës kemi vepruar në këtë drejtim”.