Mungesa e perspektivës në Kosovë – arsyeja e lënies së shtetësisë

1 javë më parë

Mungesa e perspektivës në Kosovë – arsyeja e lënies së shtetësisë

Për çdo vit përllogaritet që shtetësinë e Kosovës e lënë rreth 5 mijë qytetarë, teksa nga viti 2009 e kanë lënë mbi 40 mijë shtetas, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Degradimi i vazhdueshëm i politikës e i shoqërisë në Kosovë dhe pamundësia e barazisë para shanseve për çdo angazhim aktiv, sipas analistit Belul Beqaj, është arsyeja ekzistenciale pse kosovarët po e lënë shtetësinë.

“Degradimi i vazhdueshëm dhe pamundësia e barazisë para shanseve për çdo angazhim aktiv është arsyeja ekzistenciale që ka ndikuar dhe po ndikon për ta ndërruar shtetësinë. Strumbullari kryesor që ndikon në të gjitha poret jetësore ndërlidhet me politikëbërjen.

Politikëbërja e partive meritokracinë e ka zëvendësuar me përkatësi partiake. Ndërsa partiakizimi i shoqërisë po e shter shpresën se njerëzit e duhur mund të vijnë në pozita dhe në role të duhura. Më shumë besojnë se kanë perspektivë jetësore me shtetësi tjetër sesa me të Kosovës. Ky është argumenti kyç i dështimit të politikëbërësve kosovarë”, ka thënë Beqaj për “Zërin”. /ZERI