Mungesa e pagave të shtatorit e tetorit detyron punëtorët e “Infrakosit” të protestojnë

1 javë më parë

Mungesa e pagave të shtatorit e tetorit detyron punëtorët e “Infrakosit” të protestojnë

Punëtorë të ndërmarrjes hekurudhore “Infrakos’’, gjatë së premtes u mblodhën për të protestuar në shenjë pakënaqësie me menaxhmentin aktual.

Për 1 orë në mëngjes, ata bojkotuan punën për shkak se nuk kanë marrë pagat e dy muajve të fundit, derisa kanë kanë kërkuar edhe shlyerjen e borxhit të trustit pensional.

Sipas punëtorëve, shumë kërkesa të tyre kanë mbetur të papërmushushura nga menaxhmenti, çka edhe i ka shtyrë ata të protestojnë, raporton KTV.

Hysen Nikçi, kryetar i Sindikatës së Pavarur “Infrakos’’ thotë se menaxhmenti ka keqpërdorur edhe resurset zyrtare, derisa borxhi ndaj punëtorëve ka vazhduar.

E të njëjtat pakënaqësi i kanë shprehur edhe punëtorë të tjerë të kësaj ndërmarrjeje, të cilët thanë se punën e bëjnë në kushte të vështira, derisa kontributi i tyre nuk po merret parasysh nga menaxhmenti.

Punëtorët thanë se në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen, protestat do t’i vazhdojnë edhe gjatë javës tjetër, në orar më të zgjatur se një orë.

Punëtorët e ndërmarrjes hekurudhore “Infrakos’’ kishin protestuar edhe disa muaj më parë, për të njëjtën problematikë.