Muhaxhirët e harruar dhe projektet për “Serbinë e pastër”

7 muaj më parë

Muhaxhirët e harruar dhe projektet për “Serbinë e pastër”

Në një ditë të ftohtë të dhjetorit 1877, Abdurrahimi po ia shpaloste Ibrahimit ëndrrat, teksa njomakët po kënaqeshin në oborrin e zbardhur nga dëbora në fshatin Mehane të Prokuples.

Ibrahimi po habitej me dëshirën e vëllait për “shtëpi më të madhe se të babës”, shkruan sot Koha Ditore.

Por thirrja “Ibrahim” e motrës Ajnishahe do t’ua këpuste lojën e bashkëbisedimin për të ardhmen.

“Deri nesër në drekë asnjë të gjallë nuk e duam këtu, kah të doni shkoni!” – po ua përcillte Ajnishahja fjalëpërfjalshëm ultimatumin e liderit me grada të një grupi serbësh të uniformuar e me pushkë e bajoneta. “Provoni po të doni! Rrini” – ishte larguar kërcënueshëm prijësi i serbëve. Atë natë baba Kajtazi dhe e zonja e shtëpisë s’e bënë një sy gjumë. Të nesërmen qerrja e familjes së Kajtazit iu bashkua karvanit të gjatë që në vaj po largohej nga Mehana e Prokuples në Serbinë e sotme jugore.

Kjo është dëshmia e përmbledhur e Agim Kajtazit, nip i Ibrahimit, të cilit në dimrin e vitit 1877 serbët e armatosur ia shuan ëndrrën për ndërtimin e “shtëpisë më të madhe se të babës” në Mehanë.

Tre gurët-lapidarë, vendosur horizontalisht njëri mbi tjetrin në fshatin Shillovë të Gjilanit, ia kujtojnë Agim Kajtazit historinë e dëbimit të gjyshit. “Përkujtim: Dëbimi i shqiptarëve nga krahina e Toplicës 1878”, shkruan në faqen anësore të gurit në krye.

Në Shillovë jetojnë edhe serbët e ardhur vullnetarisht nga Serbia në kuadër të projekteve institucionale serbe gjatë shekujve për ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës. Në mesin e shqiptarëve dhe serbëve mbizotëron paqja. E ftohtë.

Dëshmitë në “Dosjen britanike”

Hulumtuesi Bejtullah Destani në librin voluminoz shqip e anglisht, “Muhaxhirët”, ka botuar vjet dokumente britanike për spastrimin etnik të shqiptarëve e joserbëve gjatë viteve 1878-1884 nga rajonet e Serbisë së sotme jugore.

Në librin prej 615 faqesh dokumentohen fjalëpërfjalshëm komunikimet e zyrtarëve britanikë për gjendjen në terren dhe për operacionet serbe pasi sllavët e Ballkanit do të dilnin fitues në krah të Rusisë cariste në luftën kundër Perandorisë Osmane në theqafje.

Shqiptarët, viktimat e para të marrëveshjeve ndërkombëtare për paqe. Dëbimet kishin nisur para, gjatë dhe pas Kongresit të Berlinit të vitit 1878, ku fuqitë e mëdha legjitimuan zgjerimin e Serbisë dhe Malit të Zi në kurriz të territoreve me shumicë shqiptare. Për Serbinë, shqiptarët ishin “turq” që nuk kishin vend në Serbinë e zgjeruar.