Muhammad Mokaev: Refugjati që synon të bëhet kampion në UFC

4 muaj më parë

Muhammad Mokaev: Refugjati që synon të bëhet kampion në UFC

Për luftëtarin perspektiv të arteve marciale të përziera, Muhammad Mokaev, krahasimet me kampionin e UFC-së (Ultimate Fighting Championship), Khabib Murmagomedovin kanë qenë të pashmangshme. Të dy vijnë nga Republika ruse e Dagestanit dhe shpesh veshin rrobat tradicionale të vendit të tyre. Gjithashtu, ata kanë një stil të ngjashëm luftimi dhe janë të dy të pamposhtur. Mirëpo, Mokaevi aftësitë e tij si luftëtar i ka zhvilluar në veri-perëndim të Anglisë dhe jo në vatrën e mundjes – Dagestani sikurse Nurmagomedovi. Në fakt, Mokaevi në moshën 12-vjeçare ka migruar në Mbretërinë e Bashkuar si refugjat. Tetë vjet më vonë, Mokaevi ka mbretërinë e Bahrejnit në qoshen e tij dhe botën e MMA (Mixed Martial Arts) nën këmbët e tij. Kampioni i dyfishtë botëror në amatorizëm, do të bëjë debutimin e tij profesional të shtunën në Suedi.

“Unë dua të jem kampioni më i ri i UFC-së, ndonjëherë. Dua t’iu dëshmoj fëmijëve që mund të jesh numri një edhe nëse vjen nga asgjëja. Pra, askush nuk të ndalon të bëhesh më i miri”, ka insistuar Mokaevi. “Khabibi është një shembull i madh për gjeneratën e ardhshme. Por, unë dua të jem Muhammad Mokaevi i parë, dhe jo Khabibi i dytë. Unë dua të shkruaj historinë time”.

Mokaevi, i cili është i vendosur në qytetin anglez Salford, të enjten ka mbushur 20 vjet. Mirëpo, ai tashmë ka disa histori që e përshkruajnë më së miri rrugëtimin e tij deri tek ëndrra për debutim në botën profesionale të UFC-së. Pak pasi i vdiq e ëma, “çështjet politike” e detyruan Mokaevin dhe babanë e tij, Muradin, të largoheshin nga Rusia në korrik të vitit 2012. Mokaevit nuk i kujtohet çdo detaj në udhëtimin e tij me babanë, por e di se ata arritën në Mbretërinë e Bashkuar me traget, të fshehur brenda një makine. Ata nuk kishin para me vete, por vetëm një çantë me rroba. Pas 28 ditëve të kaluara në një qendër refugjatësh në Liverpool, atyre iu ndanë një shtëpi në Wigan. Mokaevi, një mysliman që nuk fliste asnjë fjalë në gjuhën angleze, iu bashkua një shkolle në kuadër të Kishës së Anglisë.

“Jeta ime filloi përsëri nga zeroja”, zbulon Mokaevi. “Gjithmonë ka prova në jetë; varet se si do të reagosh ndaj tyre. Nëse do të kisha para kur erdha në Mbretërinë e Bashkuar dhe po të kisha gjithë familjen time, me siguri se tashmë do të isha një djalë tjetër, tërësisht i shkolluar dhe edukuar”.

Kampion britanik dhe i botës

Si refugjatë që ishin, ata merrnin nga 50 euro në javë si përfitim, por pasi vërejti që i biri po përzihet me “turmën e gabuar”, babai Muradi i tha Muhammadit se do t’ia jepte çdo javë nga 25 euro nëse do të shkonte për çdo ditë në zonën e të rinjve në qytetin e Wiganit – dhe pikërisht në këtë vend ai u rinjoftua me sportin e mundjes. Mokaevi e kishte provuar mundjen edhe në Dagestan, por filloi ta shijonte në Wigan, si pjesë e ekipit Leigh Wrestling Club. Ai shumë shpejt nisi të triumfojë nëpër turnetë e juniorëve, duke u bërë kampion britanik në mundje dhe kampion evropian në “jiu-jitsu” braziliane.