MSH-ja mohon se Zemaj i nxori nga zyra inspektorët

1 muaj më parë

MSH-ja mohon se Zemaj i nxori nga zyra inspektorët

Ministria e Shëndetësisë ka mohuar se i pari i kësaj ministrie, Armend Zemaj, ka fyer e kërcënuar dy inspektorë shëndetësorë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se dy inspektorët, N.K. dhe B.V. kanë hyrë në kabinetin e Zemajt, porse nuk janë pranuar në takim për shkak, siç thuhet, agjendës së ngarkuar të ministrit.

Njoftohet se kërkesa e inspektorëve ishte të përfshihen në Pakon Emergjente.

“E vërteta është se në orët e mëngjesit të ditës së sotme, derisa Ministri Zemaj po kryente punët e tij të rregullta dhe kishte palë të tjera të caktuara për takime, dy inspektorë shëndetësor (N.K. dhe B.V), duke keqpërdorur kartën e identifikimit të Inspektoratit Shëndetësor, pa paralajmërim të Kabinetit nga kryeinspektorja të cilës i përgjigjen, kanë ardhur te Kabineti i Ministrit duke e penguar në punë drejtpërdrejt Ministrin, me kërkesa për pagesë të 300 eurove, të cilat ata i kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.

Njoftohet gjithashtu se rasti është denoncuar te kryeinspektorja, me qellim të marrjes së masave disiplinore ndaj personave në fjalë.

MSH-ja njofton se “njëri prej këtyre dy inspektorëve gjatë kohës së pandemisë ka qenë i liruar nga puna për arsye shëndetësore dhe nuk ka kryer asnjë inspektim lidhur me Covid-19.

“Ndërsa, sa i përket mos-përfshirjes së inspektorëve shëndetësor në shtesën prej 300 eurove, sipas Ligjit për Shëndetësisë dhe Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, Inspektorati Shëndetësor është organ administrativ i MSh-së, ndërsa inspektorët nuk janë të klasifikuar në mesin e profesionistëve shëndetësorë”.

Gjatë ditës është raportuar se ministri Zemaj ka nxjerr nga zyra e tij dy inspektorët.