“Mosmarrëveshjet kufitare për Shqipërinë”

3 vite më parë

“Mosmarrëveshjet kufitare për Shqipërinë”

Studiuesi dhe gazetari Armand Plaka, ka rikthyer në kujtesë copëtimin e territorit të banuar me shqiptarë në kohën e shpalljes pavarësisë së Shqipërisë.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka postuar një karikaturë të vitit 1913, e cila shpërfaq “mobilizimin” e fuqive të mëdha për ta vizatuar hartën e shtetit shqiptar, gjithnjë në kontekst të ngushtimit të territorit.

Plaka përkujton se ndarja që është bërë në atë kohë ka sjellë pasoja të pariparueshme ndër shqiptarët edhe sot e kësaj dite, shkruan AktivPress

Ky postim, korrespondon me kohën kur Kosova si pjesë e ndarë nga Shqipëria, ende po merret me definimin e kufijve të saj.

Ja çka shkruan Plaka:

“Kjo është diçitura e karikatures së botuar në janar 1913 në faqet e shtypit finlandez në lidhje me diskutimet pa fund për ravijëzimin e vijës kufitare të shtetit të ri shqiptar, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga ana e vetë shqiptarëve dhe pritjes për njohjen ndërkombëtare, që do të vinte pas konferencës së Londrës, rreth 6 muaj më vonë.

Megjithëse njohja tashmë nuk do të vihej më në diskutim e madje edhe forma e regjimit, sipërfaqja e territorit që do të duhej të zinte shteti më i ri i kontinentit, do të bëhej objekt i pafund debati mes fuqive të mëdha. Sidoqoftë, ata konkluduan në fund me një vendim drastik për të kënaqur kësisoj orekset e fqinjëve veriorë e jugorë të shqiptarëve, duke hequr atyre shumë pjesë vitale të territoreve të tyre, si dhe të drejtën për të jetuar të bashkuar.

Karikatura në fjalë e pasqyron më së miri këtë debat, duke nxjerrë në pah veçanërisht qytetet apo rajonet (Peja, Shkodra, Janina, Gjakova, Prizreni e Kumanova) që u prekën nga kjo ndarje, e cila ka sjellë pasoja të pariparueshme ndër shqiptarët edhe sot e kësaj dite.”/AktivPress