3 javë më parë

Mosdorëheqja pas shkeljeve kushtetuese nuk është shpëtim  

Mosdorëheqja pas shkeljeve kushtetuese nuk është shpëtim  

(Për heshtjen e liderëve politikë pas shkeljes së Kushtetutës, për mungesën e guximit për të marrë vendime të mëdha, dhe për përsëritjen e mundshme të skenarit për rrëzimin e Qeverisë)

Shkruan: Agron Halitaj

Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Fatmir Limaj nuk mund të hiqen sikur nuk ka ndodhur gjë, pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese se Ligji për Dialogun dhe Ekipin Negociator nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën. Mbi të tre rëndon përgjegjësia për shkelje të aktit më të lartë juridik të shtetit. Mbi Haradinajn për shkakun se është shef i institucionit që e ka sponsoruar ligjin, mbi Veselin pasi është kryetar i partisë më të madhe në koalicionin qeverisës dhe mbi Limajn që ka pranuar ta marrë bashkëdrejtimin e një ekipi që rezultoi të ishte antikushtetues.

Parimisht, Haradinajt si kryeministër i takon ta bëjë hapin e parë- të ngre mocion mobesimi për vete në Kuvend. Në pajtim me partnerët e koalicionit është e udhës që deputetëve t’u propozohet votimi për rrëzimin e Qeverisë dhe shpërndarjen e Kuvendit. Burrështetasi britanik David Lloyd George thoshte se lideri politik nuk duhet të ketë frikë që ta ndërmarrë një hap të madh nëse është e nevojshme. Humnera, siç thoshte ai, “nuk mund të kalohet me dy hapa të vegjël”. E qeveria aktuale është në humnerë.

Haradinaj s’ka pse e ndjek shembullin e Isa Mustafës, i cili nuk pati dhënë dorëheqje ditën kur Gjykata Kushtetuese pati nxjerrë konstatimin se shumë prej parimeve të Marrëveshjes për Asociacionin/ Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe (AKS) – nuk ishin në harmoni me Kushtetutën. Në vend se të largohej nga Qeveria, Mustafa ngrehte dolli me Hashim Thaçin, asokohe ministër i Jashtëm. Mustafa nuk fliste për vendimin e Kushtetueses por e përgëzonte për punë vartësin e tij dhe i referohej si president i ardhshëm. Në të vërtetë, Thaçi ia doli të bëhet president me mbështetjen e Mustafës, por vetë Mustafa u rrëzua më vonë nga partia të cilën e kishte drejtuar për gjatë kohë Thaçi. Fati i njëjtë mund ta përcjellë edhe Haradinajn.

Për t’i shmangur skenarët e ngjashëm, Haradinaj i ka dy shembuj tjerë që mund t’i ndjekë: Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin. Të dy qenë dorëhequr shkaku i vendimeve të Kushtetueses. Të dy, sikur të donin nuk do të jepnin dorëheqje. I pari do të mund të mbetej president duke u arsyetuar se ka dhënë zyrtarisht dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së, ndërsa, i dyti do të mund të mbetej në Presidencë, duke kërkuar që Kuvendi ta përmirësonte gabimin dhe ta rikthente në proces të ligjshëm rizgjedhjen e tij. Por të dy zgjodhën rrugën më të drejtë- atë të respektimit të Kushtetutës.

Ish-kryeministri italian, Matteo Renzi, gati një vit para se të largohej nga Qeveria, kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqje nëse nuk do t’i kalonte reforma kushtetuese me referendum. Renzi paraprakisht e kishte pranuar se nëse do ta humbiste referendumin, atëherë përvoja e tij politike do të konsiderohej si e dështuar. Dhe, e tillë doli, njësoj siç doli e dështuar edhe përvoja e Haradinajt, Veselit e Limajt, me Ekipin Negociator.

Krijimi i këtij Ekipi ishte gabimi i dytë kardinal i Haradinajt brenda një qarku kohor prej më pak se dy vjetësh. Gabimin e parë, Haradinaj e pati bërë kur krye në vete ia pati bartur kompetencat për të dialoguar me palën serbe presidentit Thaçi. Gjyqtarët kushtetues në vendimin për Ligjin për Dialogun qartësuan se presidenti nuk mund ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Gabimin e dytë e bëri kur u përpoq t’ia marrë kompetencat presidentit, dhe ato t’ia delegojë sërish një trupi tjetër.

Për disa muaj, Ekipi Negociator, funksionoi në mënyrë antikushtetuese. Anëtarët e delegacionit shtetëror realizuan vizita në Bruksel dhe tërhoqën dokumente nga Presidenca për aq sa iu dha Thaçi. Shpend Ahmeti, i cili me grupacionin e tij në Kuvend u bë “shpëtimtar” i Qeverisë Haradinaj me pretendimin se një ditë do të mund të nxirrte mjete buxhetore për PSD-në nga Fondi për financimin e partive politike, përmes ndryshimit të ligjit, është i vetmi që deri më tani e ka pranuar verdiktin e Kushtetueses dhe u tërhoq nga Ekipi bashkë me anëtarët e tjerë të partisë së tij.

Haradinaj, Veseli e Limaj s’e kanë thënë asnjë fjalë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të tre pretendojnë ta kalojnë në heshtje gabimin e madh që e kanë bërë. Por gabimet e tilla nuk kalohen me heshtje. Në raste të ngjashme, Winston Churchill thoshte se “në luftë mund të vritesh vetëm një herë, por në politikë shumë herë”.

AktivPress